Traktat kundër klasikes

Traktat kundër klasikes

Traktat kundër klasikes
Botuar tek gazeta Tirana Observer
Diskutimet e përditshme në ambientet mondane të Evropës ende flasin me nostalgji për të ashtuquajturën belle époque, një periudhë lulëzimi të artit, estetikës dhe stilit të jetës që arrin maksimumin në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë deri në luftën e parë botërore. Kjo periudhë quhej një kohë e artë për bukurinë, inovacionin, ekonominë, paqen dhe shkencën. Një periudhë kur shkenca e aplikuar në jetën e përditshme e bënte jetën më të këndshme dhe të bukur për njerëzit dhe solli një shpërthim në jetën kulturore që manifestohej me zbulimin e kinemasë, masivizimin e teatrit, kabareve dhe kan-kanit, lindjen e iluminizmit dhe art nouveaux. Të tillë rendje intensive ndaj artit nuk e kishte përjetuar Evropa  prej shekullit të pesëmbëdhjetë, përiudhës së Rilindjes Evropiane.
Belle époque ishte në një farë mënyre edhe kulmi i supremacisë Evropiane kur bëhet fjalë edhe për ekonominë dhe politikën. Vetëm Britania në fillimin e shekullit të njëzetë zotëronte si koloni 1/3 e botës sa banuar. Gjithçka filloi të degradojë më pas me Luftën e Parë Botërore dhe pastaj me të dytën e më tej me një ndryshim radikal të ekuilibrit të pushtetit i cili filloi ta kalonte rëndesën përtej Atlantikut. More...
Ky ndryshim i raport të fuqive u reflektua padyshim edhe në jetën artistike ku supremacia e jetës artistike emigroi bashkë me pushtetin ekonomik dhe atë politik në ish kolonitë evropiane të Amerikës. Hollivudi dhe rrymat muzikore të jazz, blues, rock, rap etj. etj. janë dëshmi të gjalla të këtij transferimi të jetës artistike.
Mirëpo ndërsa në kontinentin e vjetër është më se e pranuar supremacia ekonomike dhe kulturore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për nivelet e larta artistike nuk lëshohet pe. Sipas shumëkush në Evropë ajo që ushtrohet në SHBA është një gjë vulgare, jocilësore, folklorike që nuk merriton të quhet art. Kjo është një përpjekje e dështuar për të mohuar një të vërtetë të madhe dhe për të mbajtur të gjallë një anakronizëm që ka dalë boje prej goxha kohe.
Më fjalë të tjera në diskutimet e përditshme të botës intelektuale të Evropës pranohet se në Amerikë bëhet para dhe pushtet por jo art, kulture dhe jetë intelektuale. Paçka se kinemaja evropiane duhet të subvencionohet që të mbijetojë po ashtu siç subvencionohen fermerët që prodhojnë qumështin, po ashtu muzikantët bëhen kopje apo dishepuj të tendencave që lindin në periferitë urbane të metropoleve amerikane, dhe për mos të folur pastaj për shkencën ku laureatët e nobelit po shndërrohen në racë e rrallë për universitetet dikur prestigjoze të Evropës. Pra askush  nuk guxon kush që të pranojë se belle époque e dikurshme është një kutjim i zbehtë i një realiteti të zhdukur. Nuk guxon kush të thojë që arti dhe kultura në Amerikë ka realizuar maksimumin e popullarizimit që ka njohur historia. Kjo pasi gjasme arti i vërtetë është muzika klasike e jo ajo bashkëkohore, kinemaja patetike e jo ajo e teknologjisë, piktura e jo filmat multiplikativë.
Në fakt me këtë lloj përçmimi nuk bëhet gjë tjetër veçse mohoet apo injorohet procesi i demokratizimit të artit që shikohet në çdo aspekt tjetër të jetës. Dikur pushteti politik ishte i përqëndruar tek pak njerëz ndërkohë që me përhapjen e të drejtës së votës dhe luftës kundër diskriminimit racor dhe gjinor pushteti politik u demokratizua dhe kaloi nga dora e shumë pak njerëzve të elitës në një publik të pamatë. E njëjta gjë mund të thuhet për ekonominë ku zhvillimi i kapitalizmit solli rritjen   të ashtuquajturve ashensorë socialë, rritja në mënyrë të panumër të mundësive për të ndryshuar statusin ekonomikë dhe social duke u pasuruar shpejt pavarsisht nga background-i apo prejardhja ekonomike e individëve. Këto zhvillime demokratike reflektoheshin në stilin e jetës dhe në masivizimin shijimit të të mirave apo komoditeteve që dikur shijoheshin nga pak. Kështu nëse një lord dikur kishte një pastruese për të larë enët apo rrobat dhe shpikja e makinave larëse dhe ulja graduale e çmimit të tyre nuk sillte ndonjë ndryshim radikal të jetës së tyre. Fundja ata edhe me masivizimin e makinave që shërbenin për të larë enët apo rrobat nuk kishin ndonjë ndryshim të madh, pasi edhe më parë ata nuk i lanin vetë. Për të varfërit kishte një ndryshim radikal, sepse më parë duhej që të bënin të gjitha  punët e shtëpisë vetë kurse me këto dhurata të teknologjisë ata mund të shmangnin këto procese të bezdisshme duke fituar një rehati që të pasurit e kishin pasur gjithmonë.
I njëjti krahasim është më se i vlefshëm për artin. Më parë arti i kohës shijohej nga pak, jo thjesht se ishte tmerrësisht cilësor dhe duhej ndonjë dhunti apo zotësi për ta shijuar, porse të tjerët nuk kishin takat dhe kohë për ta shijuar. Të varfërit ishin në një farë mënyre tepër të zënë duke larë enët apo rrobat për të cilat të pasurit kishin pastruese. Dhe ai art i kohës nuk kishte detyrimisht një origjinë mundane apo fisnike, ariet më të bukura klasike që këndohen sot nga Carrera apo Domingo nuk janë gjë tjetër veçse këngët popullore që gërthiteshin në Napoli nga shitësit ambulant që ishin të mërzitur nga vapa. Po kështu pjesët për kore kishtare që duken sot aq të rafinuara nuk ishin gjë tjetër veçse prodhime të murgjëve që shpesh ishin asketë dhe me origjinë shumë modeste. Thjesht në atë kohë arti nuk ishte ende i demokratizuar, pra i popullarizuar për tu shijuar nga shumica.
Me rritjen e nivelit të demokracisë, arti me format e tij të reja në vazhdim u demokratizua duke u shijuar nga gjithnjë e më shumë njerëz, duke arritur sot që për të shijuar një muzikë mjafton të futesh në internet dhe për të parë një film mjafton të paguash 100 lekë në një vidiotekë. Fakti që arti bashkëkohor sot shijohet nga më shumë persona nuk do të thotë që është më pak cilësor apo i fismë. Arti bashkëkohor përfaqëson maksimumin e krijimtarisë dhe fantazisë së brezit veçse mund të përhapet tek bashkëkohësit në përmasa më të mëdha se ç’ndodhte një shekull më parë. Për këtë arsye nuk mund të quhet muzika rap, alternative apo techno më pak e denjë sesa muzikat që kanë qenë në modë para një shekulli. Po qe se pretendohet se muzika që bëhej para një shekulli, apo se stili i jetës dhe  moda e shekullit të kaluar ishin më të hijshme se ato të sotshme, do të thotë se mes nesh ka ende nostalgjikë anakronikë që ende nuk e kanë kuptuar se kultura e arti nuk janë statike, të ngurosura në pentagramet e Bethovenit apo pikturat e impresionistëve. E bukura e sotshme nuk është më pak e bukur se e djeshmje thjesht pse sot këtë të bukur mund ta shijojnë më shumë njerëz falë zhvillimit të kapitalizmit dhe globalizimit.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top