Qeverisja midis arbitraritetit dhe legjitimitetit

Qeverisja midis arbitraritetit dhe legjitimitetit

Qeverisja midis arbitraritetit dhe legjitimitetit

Botuar tek Revista Klan

 

Disa prej betejave më të fundit të qeverisë kanë hasur një rezistencë të jashtëzakonshme nga shumica e përfaqësuesve të forcave të gjalla të shoqërisë shqiptare. Mirëpo kjo situatë nxjerr në pah debatin klasik midis legalitetit dhe legjitimitetit. Nga një anë një pjesë e mirë e nismave të ndërmarra nga qeveria janë plotësisht të ligjshme, dhe kanë të bëjnë thjesht me zbatimin e disa ligjeve që janë vendosur kohë më parë si pjesë e legjislacionit shqiptar. Nga ana tjetër revoltimi masiv ndaj zbatimit të këtyre ligjeve të lë të mendosh se këto nisma nuk gëzojnë aprovimin e shumicës pra nuk gëzon legjitimitet të mjaftueshëm.

Mirëpo ky debat nuk mund të ngelet në nivel filozofik midis dy koncepteve që janë debatuar prej kohësh nga filozofët, historianët apo politologët kur diskutohet nëse duhet të kenë apo jo imunitet nga ligji përfaqësuesit politik të popullit. Konteksti është ai që bën diferencën dhe është çelësi i zgjedhjes së njërit apo tjetrit version. Dhe konteksti në Shqipëri është më se i qartë. Ilegaliteti është i pranishëm kudo dhe jo vetëm që është i pranishëm por është i institucionalizuar. Më shumë se gjysma e ekonomisë shqiptare është prej kohësh informale. Pothuaj çdo kompani private në Shqipëri kryen evazion fiskal duke fshehur të ardhurat e vërteta e për rrjedhojë duke mos paguar një pjesë të mirë të të ardhurave që ligjërisht do t’u takonte të pagonin. Ky është një realitet i konsoliduar prej kohësh në vendin tonë, mjafton të shkosh në një kafene apo dyqan në një ditë të bukur me diell në mes të kryeqytetit për të parë që nuk kanë kasa që të regjistrojnë sikurse duhet shitjet e bëra.

Informaliteti në Shqipëri gjendet kudo, në çdo sektor të ekonomisë apo jetës sociale dhe vështirë se mund të eliminohet menjëherë me dorë të egër duke patur parasysh se pothuaj të gjithë jemi të përfshirë. Mjafton të përmenden ndërtesat apo shtesat e panumërta ilegale që gëlojnë anembanë vendit për të kuptuar sesa masiv dhe i institucionalizuar është ky realitet. Madje edhe politikanët kryesorë të shtetit vetë përflitet se jetojnë në ndërtesa informale.

Nga një anë është e domosdoshme që të vendoset ligji sepse ky vend kurrë nuk ka për të hyrë në Evropë për sa kohe zbatueshmëria e ligjit është minimal. Me ne kanë për t’u tallur dhe kanë për të na nëpërkëmbur nëpër ambasada për sa kohë jetojmë në të till informalitet. Por nga ana tjetër është vështirësia për të eliminuar informalitetin pa përfshirjen apo miratimin masiv të qeverisë.

Në kontekstin shqiptar gjëja më delikate që duhej patur parasysh nga qeveria nëse me të vërtetë do të synonte të luftonte informalitetin është mënyrja e vendosjes së përparësive. Pra vendi ku do e niste apo mënyra se si do e niste luftën ndaj informalitetit ka një ndikim vendimtar në suksesin e kësaj lufte dhe në përfshirjen e publikut në këtë luftë.

Mirëpo mënyra sesi është menaxhuar deri tani kjo luftë tregon se prioritetet e zgjedhur nga qeveria dhe mënyra sesi e ka zgjedhur ta bëjë luftën kundër informalitetit nuk ka siguruar legjitimimin e publikut. Rasti tipik ishte ai i Zogut të Zi, gjithkush ngrinte pyetjen se përse qeveria ndërmorri shkatërrimin e pikërisht Zogut të Zi ndërkohë që kishte edhe të paktën 220 000 ndërtesa të tjera ilegale anembanë Shqipërisë dhe pasi kishte premtuar dhe nisur një proces  të legalizimit të ndërtesave të paligjshme (sikurse ishte edhe Zogu i Zi). Një tjetër rast tipik është zelli i kohëve të fundit për të diktuar respektimin e pronësisë intelektuale në transmetimet televizive.

Është interesante sepse personalisht në kuadër të veprimtarive të Institutit Liberal Shqiptar pak kohë më parë kam organizuar në konferencë për respektimin e pronësisë intelektuale në vendin tonë dhe jam një ndër njerëzit më të ndjeshëm lidhur me këtë fushë. Mirëpo nëse me të vërtetë do të ndërmerrnim një luftë kundër mosrespektimit të pronësisë intelektuale në Shqipëri ne duhet të vendosim prioritetet e duhura.

Përpara se të luftohet pirateria televizive që padyshim është e paligjshme por që fundja ka një dëm minimal për publikun shqiptar, duhet menduar për të luftuar atë pirateri që ka një dëm më të madh dhe më të prekshëm nga shoqëria shqiptare. Kështu do të ishte shumë më urgjente lufta kundër importimit të barnave të fallsifikuara  që importohen në Shqipëri sepse dëmi që ato shkaktojnë në shëndetin e shqiptarëve dhe sasia e parave që qarkullon në këtë biznes është shumë më i lartë se ai i televizioneve. Jashtëzakonisht më imediate do të ishte nevoja për të luftuar piraterinë e farërave, hibrideve, insekticideve, plehrave apo pesticideve të falsifikuara apo të piratuara sepse shumica e popullsisë shqiptare, ajo rurale është duke vuajtur dhe duke u dëmtuar nga kjo gjendje. Po kështu shumë lëndë ndërtimi që futen në një ndër sektorët më vitalë dhe masiv të ekonomisë sonë, shpesh importohen duke pretenduar standarde apo cilësi false. Mosrespektimi i pronësisë intelektuale është tmerrësisht e dëmshme kur bëhet fjalë për mosrespektimin që ndodh në botën akademike. Breza të tërë shqiptarësh janë duke u arsimuar në kushtet e minimumit të integritetit akademik nëpër shkollat tona duke lexuar tekste të plagjiaruara si dhe duke ndjekur leksione të shumë profesorëve plagjiatorë të cilët e kanë ngritur autoritetin dhe famën e tyre duke përvetësuar autorësinë e shumë teksteve të huaja të prodhuara nga tjetërkush. Bile edhe kur bëhet fjalë për të luftuar piraterinë e industrisë zbavitëse që padyshim nuk është asgjë para dëmit që shkaktohet nga pirateritë e sipërpërmendura, duhet patur parasysh që ajo pirateri është shumë më masive në formën e CD-ve, DVD-ve, audio kasetave, videokasetave apo kanaleve lokal kabllorë që gjenden më shumicë anembanë Shqipërisë sesa pirateria televizive.

Fakti që qeveria nuk është duke ndjekur prioritetet e duhura që janë të diktuara nga konteksti në Shqipëri të lë të mendosh se parimi frymëzues i veprimtarisë nuk është legaliteti por arbitrariteti. Të lë të mendosh që nuk është se po i digjet xhani për një të drejtë të virtytshme sikurse është e drejta e pronësisë intelektuale por të lë të mendosh se është duke instrumentalizuar informalitetin në mënyrë arbitrare për të arritur qëllime meskine kundër një pronari të caktuar të mediave. Sepse nuk është rastësore që brenda një  kohe të shkurtër të dëbohet një televizion nga ambientet publike ndërkohë që të tjerave televizione private sapo iu janë dhënë në përdorim ambjente publike. Që në një kohë të shkurtër të niset nxjerrja me urgjencë e një ligji për transmetimet numerike, të vërsulen tatimorët si dhe të shkëputen një sërë antenash transmetuese. Ky arbitraritet dhe trajtimi i ligjit me standarde të dyfishta padyshim që ngjall revoltë tek shumëkush që e kupton sesi ligji tani po përdoret në mënyrë selektive si instrument politik. Por ngjall revoltim akoma më të thellë tek njerëz si autori i këtyre rreshtave të cilët si ithtarë të drejtës së pronësisë janë duke parë se ky instrumentalizim i ulët i respektimit të pronësisë intelektuale në fakt është duke e delegjitimuar luftën kundër piraterisë duke e diskredituar në sytë e publikut këtë parim bazë e të shenjtë të çdo shoqërie të zhvilluar demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top