Po me kazinotë ç’patën xhanëmë (Sus me kumarin se do ju nxjerrin në bodec!!!)

Po me kazinotë ç’patën xhanëmë (Sus me kumarin se do ju nxjerrin në bodec!!!)

Po me kazinotë ç’patën xhanëmë (Sus me kumarin se do ju nxjerrin në bodec!!!)

 

Botuar tek gazeta Metropol

 

 

Gjatë këtyre ditëve në qëndër të debatit publik është futur çështja e kazinove që nisi nga vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për të dhënë liçensën për pesë syresh. Aktorë të ndryshëm publik, në vënd të merren me procedurën e dhënies së kësaj liçence, me faktin që edhe njëherë “rastis” që të jetë një kompani greke kandidati më i mire në ankandin e parë, si dhe me dhënien e vështirë dhe selektive të një liçence (pra ndërtimit të një monopoli) por me aspekte të tjerë dytësore etike.

Në krye të këtij debate ka qënë lëvizja “Mjaft” e cila e ka kundërshtuar rreptësisht hapjen e kazinove, ka kërkuar që të përfshihet komuniteti në vendim-marrje si dhe kazinotë të çohen në zona të largëta.

 Së pari kjo çështja që del tani ngjan si kofini pas të vjelit, pasi lojrat e fatit, llotaritë e bingot kanë goxha kohë që janë përhapur dhe janë tashmë masive për popullsinë. Prandaj unë nuk shikoj ndonjë ndryshim të madh të sjellë prej hapjes së një kazinoje. Se si duhet të përfshihet komuniteti sipas Mjaft-it është gjithashtu goxha e turbullt. Shqipëria e ka tashmë një parlament, një qeveri sovrane dhe legjitime si dhe ka pushtet lokal të zgjedhur nga komunitetet përkatëse dhe përfaqësuese të tyre dhe une nuk shikoj se me anën e cilave struktura të tjera paralele apo rivale mendon Mjaft-i se duhet të merret vendimmarrja në lidhje më kazinotë.  

Kjo çështja e degdisjes së kazinove në vende të humbura pastaj, nuk qëndron fare empirikisht, pasi dihet që disa nga kazinotë më të famshme kanë qënë në Montekarlo, Gjibraltar e Bejrut që janë pika kyçe të Mesdheut. Është e vërtetë që Las Vegas, Rino dhe rezervatet indiane janë goxha vende të largëta, mirepo në SHBA ka kazino edhe në Atlantik Siti që gjendet në Veri-Lindje dhe që është zona më e populluar e Amerikës. Po ashtu një ndër arsyet pse qeveria amerikane iu ka dhënë rezervateve indiane të privilegjin për të hapur kazino, ka qënë pikërisht bindja se hapja e kazinove do sillte zhvillimin e komuniteteve të prapambetura indiane. Dhe në fakt ka boll evidenca që tregojnë se kazinotë kanë nxitur turizmin, kanë ulur papunësinë e kanë rritur mirëqënien e popullsisë së rezervateve indiane.

Ndërkohë për çështjet e tjera ky debat shtrohet më tepër në nivel moral. Retorika e liderit të  Mjaft-it, tingëllon si ajo e mësueseve apo brigadierëve të kohës së komunizmit që kërcënonin me nxjerrjen në fletë-rrufe apo bodec, për çdo shkelje morali ose si e predikatorëve fetarë që kërcënojnë me dekada purgatori apo zjarrin e ferrit për mëkatet morale të bëra. Kjo retorikë prohibicioniste niset nga disa premisa të gabuara që kërcënojnë rëndë lirinë dhe emancipimin shoqëror.

Ideja e ndalimit të kazinove dhe kumarit në përgjithësi lind, nga bindja e prohibicionistëve si Z. Veliaj, që mendojne se ata që vendosin baste janë tepër të paaftë për të marrë vendime për jetën e tyre. Prandaj këta njerëz duan  që të  marrin ata vendimet personale dhe private të këtyre personave, përfshi këtu në lidhje me kumarin. Ky është një denigrim ndaj lirisë së individit pasi eleminon mundësinë që njerëzit të kenë përgjegjësi personale ndaj jetës së tyre. Mbase Mjaft-i niset nga dëshira për ti bërë mirë tjetrit porse siç shkruante dikur Ayn Rand çdo llahtar i madh historik është bërë në emër të një motivi altruist. 

Mirëpo është e çuditshme se sa pak mësojnë njerëzit nga mësimet e historisë, dhe më saktë për temën tonë vlen rasti analog i prohibicionizmit ndaj pijeve alkolike që u vendos në Amerikë nga viti 1920 deri në vitin 1933. Prohibicionizmi u quajt ndryshe Eksperimenti Fisnik dhe kur u vendos pati një mbështetje të jashtëzakonshme nga populli. Në mesnatën e 16 Janarit 1920 amendamenti i tetëmbëdhjetë I kushtetutës amerikanë hyri në fuqi dhe i jepte fund importimit, eksportimit, transportimit, shitjes dhe prodhimit të pijeve alkolike, duke quajtur si të tillë çdo pije që kishtë më shumë se 0.5% alkool. Ky veprim synonte uljen e konsumit të alkoolit që nga shumë njerëz asokohe shikohej si dora e djallit, dhe me anë të këtij veprimi përpiqëj që të ulte krimin, varfërinë, vdekshmërinë, korrupsionin dhe probleme të tjera sociale si dhe të përmisonte higjenën dhe shëndetin, ekonominë, cilësinë e jetës  dhe moralin.

Mirëpo amerikanët e pane se prohibicionizmi nuk kishte dobi dhe kishte një efekt krejt të kundërt prandaj edhe e hoqën.  Efektet bumerang të këtij eksperimenti në fillimin e viteve tridhjetë ishin të qarta dhe njerëzit e thjeshtë vuajtën shumë prej tyre. Prohibicionizmi çoi në ndërtimin dhe fuqizimin e tregut ilegal që e konsolidoi krimin e organizuar, (siç ishte  rasti Al Kapone) rriti korrupsionin e policisë, gjykatave dhe politikanëve, çoi në rrënien  respektimit të ligjit në përgjithësi dhe konsumimi i alkoolit u rrit në mënyrë dramatike shumë më lartë se nivelet e para-prohibicionizmit. Ndalimi, siç shkruante Mark Tueni, e çon alkolin prapa dyerve, në vendet e errëta dhe nuk mjekon dhe as e pakëson problemin e pijes. Këtu ështe dhe problemi i tabusë që e bën diçka akoma më joshëse dhe siç thoshte Tomas Xhefersoni zorr se ka pijanecë në vendet ku vera është e lirë. Prohibicionizmi rrëzoi respektin për fenë pasi feja u perdor për të justifikuar e nxitur prohibicionizmin, e përderisa prohibicionizmi dështoi, atëhere shume vetë mendonin se edhe feja ishte e dështuar.

Vënia në jetë e prohibicionizmit përveçse uli të ardhurat nga taksat mbi pijet alkolike i ngarkoi institucionet e ligjit me një barë shumë të madhe. Shpesh në atë periudhë ndodhte që policia të merrej më shumë me shkeljet e prohibicionizmit se sa me vjedhjet apo përdhunimet. Shumë njerëz u dëmtuan financiarisht, emocionalisht dhe moralisht. Imagjinoni çfarë kanë pësuar njerëzit që merreshin me prodhimin apo shitjen alkolit, humbja ekonomike dhe fyerja nga ideja se ata kishin pasur nje profesion kriminal. Prohibicionizmi e bënte alkoolin më të rrezikshëm për shëndetin, pasi shumica e alkoolit që konsumohej prodhohej në mënyrë amatore e të pakontrolluar. Të toksikuarit me alkool nuk merrnin trajtim shëndetësor sepse kishin turp ose frikë mos dënoheshin për zotërim ilegal alkooli.

Shëmbulli i dështimit të periudhës së prohibicionizmit, është një dëshmi e vyer për të kuptuar që një fenomen që nga disa konsiderohet imoral, nuk zgjidhet duke e ndaluar. Një situatë e ngjashme do të zhvillohej në Shqipëri nëse ne do të nxirrnim nga ligji lojrat e fatit. Bastet e llotaritë do të ishin të fshehta dhe të pakontrolluara, mungesa e taksimit të tyre do ulte të ardhurat e qeverisë, bixhozi do të binte në dorën e krimit të organizuar i cili do ta degjeneronte ende më tej situatën e ligjit në Shqipëri, ideja e tabusë do të joshte akoma më shumë njerëz. Për më tepër që po ashtu si qëmoti, fakti që shfaqet e huaja ishin të ndaluara, nuk pengoi shumë të rinj që të mbanin flokë e farforite të gjata, pantallona të ngushta dhe të dëgjonin Bitëllsat.

Unë i kërkoj lexuesit që të vrasë njeherë mendjen se deri ku mund të shkojë llogjika e ndalimit. Duke përdorur argumenta të ngjashme me ato që përdoren kundër kumarit, do të na duhet të ndalonim banjot e diellit pasi shkaktojnë kancerin e lëkurës. Të ndalonim mishin dhe vezën sepse kanë shumë kolesterol që shkakton semundjet e zemrës. Do të na duhej mos të qeshnim shumë se na shtohen rrudhat e fytyrës, mos të binim në dashuri sepse krijon obsesione e tensione psikologjie … e kushedi se çfarë sjelljesh apo gjërash të tjera personale do të na duhej të eleminonim vetëm pse dikush ka vendosur që ato nuk janë mirë për ne.

Ajo që duhet të mbajmë si pikë referimi në këtë çështje është e paçmuara LIRI PËR TË ZGJEDHUR. Mënyra më e mirë për t’u marrë me gjëra që shkaktojnë varësi, dëme shëndetësore apo sjellje që për ndokënd mund të konsiderohen si dekadencë morale, është përdorimi i fushatave informuese e edukative (shumë e suksesshme ka qënë ajo kundër duhanit në Perëndim gjatë viteve 60-70)  dhe kurrësesi imponimi. Mjaft-i apo organizata fetare mund të predikojnë e të bindin njerëzit për një moral apo etikë të caktuar por nuk duhet që të detyrojnë qeverinë që të aplikojë tek gjithë të tjerët normat e tyre. Ata nuk duhet të na detyrojnë të veprojmë siç mendojnë ata por thjesht mund të përpiqen të na bindin të mendojmë si ata. Ne mandej duhet të jemi të lirë të veprojmë si ta gjykojmë vetë duke marrë parasysh rrezikun e mundshëm qoftë kur ky vjen nga cfurku i djallit  e qoftë kur vjen nga dhjami i tepërt i mishit. Fundja sa e thatë do të kishte qënë jeta pa një fije rreziku e spontaniteti apo pa ndonjë sjellje të papërgjeshme të shtyrë nga ngasjet e mishit dhe zemrës.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top