Nëpërkëmbja e flamurit kombëtar shqiptar.

Nëpërkëmbja e flamurit kombëtar shqiptar.

Nëpërkëmbja e flamurit kombëtar shqiptar.

Botuar tek gazeta Panorama

 

Ceremonia e inaugurimit të presidentit Topi ishte goxha dinjitoze dhe me të vërtetë për t’u vlerësuar. Të tilla ceremoniale të kryera me solemnitet i japin hije shtetit, konsolidojnë institucionet duke dhene idenë e vazhdimësisë dhe stabilitetit. Rituali i sapokryer padyshim që linte përshtypjen e një shteti normal, ku rotacioni kryhet pa telashe dhe ku shteti gëzon respektin e publikut dhe ofiqarëve. Mirëpo nuk qe e thënë që të arrihej një përsosmëri në këtë ceremoni sepse në kulmin e lavdisë të kësaj feste kombëtare, manifestohet për të kushedisesatën herë nëpërkëmbja e flamurit kombëtar shqiptar dhe kompleksi i theksuar i inferioritetit duke vendosur në qendër të vëmendjes gjatë ceremonisë në parlament, flamurin e Bashkimit Evropian. Një flamur mbulonte stemën e Republikës së Shqipërisë  i ngecur si çarçaf blu i stërmadh që për nga madhësia garonte vetëm me komplekset e inferioritetit dhe shpëlarjen e identietit të atyre qe e kanë vënë,

Shumë flitet në Shqipëri se një ndër mangësitë kryesore tona është mungesa e institucioneve kryesore që normalisht çojnë në konsolidimin e një shteti. Normalisht me kur flitet për konsolidim të shtetit njerëzit mendojnë për burra shteti, institucione ndërkombëtare, ambasada të huaja, respekt të pashaportës shqiptare, dhe nuk iu shkon mendja se për konsolidimin e një shteti, një gjë e vogël si flamuri ka një rol thelbësor.

Historia e flamujve është e gjatë dhe nis të paktën katër mijë vjet më parë duke u përdorur fillimisht për të përcjellë informacion dhe si simbol për të dalluar palët nga njera tjetra. Me kalimin e kohës përdorimi i flamujve si simbol, bashkë me stemat, uniformat, logot apo të tjera forma simbolike identifikuese, u bë vendimtar për të arritur tek paqja e Vestfalisë, momenti kur institucioni i shtet kombit u bë aktori kryesor i njerëzimit dhe bashkë me shtet kombin, lidhej edhe rritja e rëndësisë së flamurit kombëtar. Për rrjedhojë përforcimi i identitetit kombëtar padyshim që solli edhe konsolidimin e rolit të flamurit kombëtar duke e bërë flamurin një ndër simbolet kryesore shtetëformuese. Prandaj edhe respekti që i dedikohet një flamuri kombëtar përkon me respektin që i dedikohet shtetit kombëtar dhe institucioneve të tij.

Fatkeqësisht në kuadër të mosrespektimit të simboleve dhe institucioneve shtetëformuese shqiptare, ne sot vuajmë edhe nga nëpërkëmbja e simbolit tonë kombëtar, flamurit. Nga njëra anë kjo tregon mungesën e profesionalitetit të administratës apo institucioneve zyrtare lidhur me kushtet në të cilat e lënë flamurin, ofiqarë që ende nuk e kanë kuptuar se çfarë roli luajnë në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër tregon se tek ne mbizotëron një shplarje të identitetit kombëtar në përgjithësi dhe mangësi në elementet shtetëformues në mënyrë të veçantë.

Mjafton të vërtitesh nëpër Shqipëri dhe të jesh pak i vëmendshëm ndaj jetës publike shqiptare për të kuptuar se çfarë trajtimi shpërfillës i jepet flamurit tonë. Kështu me përjashtim të ndonjë institucioni zyrtar të lartë si Kryeministria dhe Presidenca shqiptare qe kanë në administratë ekspertë rigoroz të protokollit, pothuaj çdo institucione tjetër nuk e ka haberin e përdorimit dhe miërmbajtjes së flamurit kuq e zi.  Për shembull sa herë futem në Shqipër nga Mali i Zi prej pikës kufitare të Muriqanit, gjithmonë tronditem dhe indinjohem kur shoh që flamurin e parë që shikoj në anën tonë të kufirit është një flamur i Bashkimit Europian. Kjo është një gjë qesharake dhe e ulët që dëshmon për një kompleks inferioriteti primitiv. Aty ku shënohet fillimi i republikës sonë e duhej të gjendej patjetër flamuri ynë, gjendet një flamur blu mbi një palo kioskë të bërë dhuratë nga BE-ja. Po edhe në qendër të Tiranës në lulishten pas monumentit të Skënderbeut, gjendet një tjetër flamur i BE-së mu nën hundë të bashkisë dhe të  ministrive kryesore shqiptare. Se përse u dashka vendosur ky flamur  për t’i bërë karshi flamurit tonë nuk merret vesh, por kjo mania e flamujve të huaj shkon edhe më tej. Mbartësit e posteve kryesore të shtetit tonë dhe liderat e partive apo figura publike me rëndësi nuk e kanë për gjë që të dalin në publik apo të mbajnë në zyrat e tyre flamujtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, përbri tonit. Po të udhëtosh në vende anëtare të BE-së vështirë se të bie rasti të shohësh flamuj të BE-së, kudo gjen flamuj kombëtar vendas. Ndërkohë vendi ynë jo anëtar, por as kandidad për anëtarësi nuk është dhe ndërkohë flamuri i BE-së gjendet i pranishëm kudo. Bile flamuri i BE-së nxirret pa u kujdesur që flamuri ynë të ruajë përparësin dhe pozicionin e nderit siç e do zakoni. Bëhet fjalë për njerëz që sot kanë zënë vendin e Qemalit, Zogut, Nolit, por pa i kushtuar këtyre posteve as një të dhjetën e solemnitetit dhe lavdisë që i kushtonin këto figura të tjera kombëtare. Për mos të kujtuar pastaj ushtarakët e sotshëm shqiptar zhurmëmëdhenj për shpërblime e privilegje por hiç lavdipotë kur kris pushka, të cilët u arratisën nga repartet apo anijet ushtarake shqiptare pa u kujdesur fare për fatin e flamurit të njësive luftarake që drejtonin apo ditareve të anijes. I mjeri flamur shqiptar që ishte mësuar të vaditej me gjak heronjsh të rënë në beteja e llogore, se ku u katandis në vitin 1997.

Në studimet ndërkombëtare, aspekte si protokolli dhe simbolika, luajnë një rol interesant dhe shumë domethënës. Shumica e vendeve të konsoliduara e të zhvilluara kanë kode të mirrëfillta të detajuara për mënyrën e trajtimit të flamurit. Kështu sipas kodit të flamurit të vendeve si SHBA, Britani, Francë etj. një flamur i zhubrosur, njollosur, shqyer, zbehur, nuk duhet të lejohet të valvitet. Konsiderohet një fyerje e mirëfilltë ndaj kombit po qe se valvitet një flamur në të tilla kushte. Nëse flamuri katadiset në këtë stad ai duhet të digjët në mënyrë të fshehtë e të kujdesshme dhe të zëvendësohet me një flamur tjetër të ri dinjitoz. Prandaj është turp jashtëzakonisht i madh që në institucionet tona, në qendrat tona kryesore, në repartet e policisë dhe ushtrisë, në pikat kufitare, ndodh shpesh që valvitet flamuj kombëtar të bërë pis, të shqyer të shpëlarë.  Po ashtu një flamur ose duhet të lihet të valvitet vetëm gjatë ditës ose gjatë natës i duhet siguruar një ndriçim i përshtatshëm që të nxjerrë në pah hijeshin e të kuqes së fortë.  Flamujtë në isntitucionet zyrtare duhet të kenë përmasat standarde dhe jo të jenë të improvizuar me flamujtë që shiten për tifozat.

Po kështu mbajtja dhe nxjerrja në pah e një flamuri të huaj nga një zyrtar apo në një institucion zyrtar, duhet të bërë në rastin kur është i nevojshëm apo i pashmangshëm si pasojë e rrethanave, por jo në mënyrë të vullnetshme dhe pajustifikuar. Pasi në jetën e përditshme ekskluzivitetin e ambjenteve përfaqësuese të shtetit shqiptar i takon ta ketë flamuri shqiptar. Në rastet e vizitave zyrtare atëhere ofiqarët mund të mbajnë flamuj të huaj por duke mbajtur parasysh se lavdia në tokën shqiptare i takon vetëm e vetëm flamurit kombëtar shqiptar. Që do të thotë se në rastin kur bëhet një takim i lartë në truallin tonë, flamurit tonë duhet t’i rezervohet precedenca, që do të thotë asnjë flamur tjetër nuk duhet të valvitet sipër apo përpara flamurit tonë, por flamurit tonë i duhet siguruar vendi qendror.  Kur flamuri kombëtar kuq e zi të ngrihet ose ulet në një ceremoni të gjithë të pranishmit normalisht duhet të shikojnë nga flamuri, të heqin syzet e diellit apo kapelet nëse dhe të heshtin në respekt për simbolin kombëtar, ata që janë në uniformë duhet të nderojnë. 

Këto dhe shumë pika të tjera duhet të jenë pjesë e një kodi dhe një praktike sa më rigoroze për flamurin tonë i cili kurrësesi nuk duhet vendosur në një pozicion inferior në lidhje me ndonjë flamur apo simbol tjetër pasi duhet të ketë precedencën para çdo flamuri tjetër kombëtar të pranishëm në territorin tonë. Ai duhet të valvitet me dinjitet dhe krenari, në vendet më të dukshme në qendër të institucioneve dhe ndërtesave shtetërore, dhe nuk duhet të lejohet që të rrëzohet apo dëmtohet.  Kurrësesi  nuk duhet të përdoret siç përdoret rëndom për të mbuluar një tavolinë, statujë, monument apo pllakat, për t’u veshur apo për stolisur dyshemetë.  Njerëzit që kanë fatin, rastësinë dhe kurajon që të shtien në dorë institucionet shtetërore shqiptare, duhet të marrin përsipër edhe përgjegjësinë që të mësojnë sesi duhet përdorur një flamur dhe duhet t’i sigurojnë flamurit tonë lavdinë që i takon

Ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit shqiptar duhet të filloj nga ABC-ja e shtetit tonë, dhe pse jo nga simboli kombëtar. Në momenti kur flamuri ynë të fillojë  të marrë respektin dhe solemnitetin që i takon, ka për të filluar të vij era SHTET edhe në Shqipëri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top