Kur shembeshin themelet e shtetit

Kur shembeshin themelet e shtetit

Kur shembeshin themelet e shtetit

Botuar tek gazeta Panorama

 

 

Policia shqiptare ka nisur një varg arrestimet që lidhen me krimet e kryera gjatë vitit 1997 dhe ka rivënë në qendër të vëmendjes këtë vit të kobshëm për shtetin shqiptar dhe mbarë kombin shqiptar. Në fakt këto vitet e mëparshme janë rrokullisur shumë shpejt, debatin politik e problemet social ekonomike në secilin prej tyre kanë qenë aq të ndezura dhe intensive sa pakush është ndalur që të reflektojë lidhur me ato që ndodhën dhjetë vite më pas. Thjesht me numra përkeqësimi i gjendjes së rendit publik gjatë këtij viti ka qenë tronditës. Mjafton të shikosh numrat e paraqitura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë lidhur me vrasjet që të tronditesh nga të dhënat. Nga 3.5 të vrarë për çdo njëqind mijë banorë në vitin e katrahurës shkoi në 43 e krahasueshme me vende në konflikt ose ato të Afrikës Qendrore.

Por ajo që ndodhi në vitin 1997 nuk duhet parë thjesht si një rritje e pashembullt e kriminalitetit si të ishte një epidemi e beftë që kaptoi Shqipërinë. Çfarë ndodhi në vitin 1997 ishte pikësëpari një shembje e mirëfilltë e shtetit shqiptar. Dhe nëse do të shpresojmë për ndërtimin e shtetit shqiptar të ligjit padyshim që përpjekjet e para duhet të përqendrohen aty ku edhe tronditja më e madhe ka ndodhur, në themelet e shtetit shqiptar. Debati dhe qëndrimi ndaj ngjarjeve të vitit 1997 nuk duhet parë vetëm me filtrin politik të motivimit apo shkaqeve që çuan në atë situatë. Zgjedhjet e parregullta të vitit 1996 të kombinuara me rrënimin e firmave piramidale e motivonin dhe justifikonin vënien para përgjegjësisë të qeverisë së asaj kohe. Mbase edhe revoltën popullore por vetëm nëse ky maraz drejtohej ndaj qeverisë dhe jo shtetit. Pra llogaria duhej kërkuar dhe ndëshkimin e meritonte vetëm qeveria por kurrsesi jo shteti. Nuk duhet të ngatërrohet pakënaqësia publike ndaj qeverisë me pasojat apo mënyra sesi degradoi situata dhe sesi u shkatërrua shteti shqiptar në bazën e vetë. Kjo do të thotë që edhe nëse ka boll arsye për të justifikuar pakënaqësinë, kjo pakënaqësi nuk duhet të shërbejë për të justifikuar e mbuluar krimet makabre që ndodhën si pasojë e vakumit të shtetit shqiptar. Ato mijëra të vrarë të shtuar si pasojë e groposjes së shtetit nuk ishin as të motivuara politikisht dhe as mund të quhen thjesht pasoja të tërthorta të padëshiruara të një revoltimi politik që duhen harruar.

Dhe ajo që është më e rëndësishme, kurrsesi nuk mund të justifikohen apo mbulohen sulmet e drejtpërdrejta ndaj forcave të policisë të cilat me kurajë të jashtëzakonshme dhe me koste të pallogaritshme njerëzore, morën përsipër rivendosjen e rendit publik në një anarki të plotë. Nëse kjo gjë bëhet diskreditohen dhe rrënohen bazat e një shteti, delegjitimohet roli i shtetit dhe padyshim që krimit e paligjshmërisë i garantohet një e ardhme e begatë në këtë vend.

Javët e fundit janë parë aksione policore dhe rihapje të hetimeve lidhur me ngjarje të vitit 1997 që më shumë se domethënie politike e kanë pasur domethënien institucionale dhe simbolike me dinjitetin e shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për ngjarjen e kobshme të Cërrikut ku një bandë terroriste e mirëorganizuar dhe armatosur deri në dhëmbë mori kurajën të ekzekutonte me planifikim dhe gjakftohtësi përfaqësuesit e shtetit shqiptar. Po kështu rasti i Urës Vajgurore dëshmon për një tjetër shembull të një sulmi të përgjakur ndaj forcave të policisë. Jo shumë kohë më përpara janë ndërmarrë sulme të mirëfillta kundër bandës së Lushnjës dhe po kështu po diskutohet për veprime ndaj të tjera ngjarjeve apo bandave të cilat  e kanë sulmuar shtetin shqiptar në çdo hallkë të sajën pa kurrfarë mëshire.

Që kjo gjë nevojitet të bëhej shumë më herët nuk ka asnjë dyshim. Deri tani në këto qytete kanë qarkulluar të imunizuar xhelatët pranë viktimave. Çfarë shteti i së drejtës mund të quhej ky kur janë toleruar të tilla llahtari. Dhe këtu fanepset çuditshëm një kundërshtim i opozitës lidhur me këto veprime të bëra nga policia për të ndëshkuar këto krime kaq të hapura, gjakatare e masive. Përfaqësues të opozitës kanë dalë në kundërshtim me këto masa duke mos  pretenduar që ata që më në fund po rrasen brenda janë të pafajshëm por duke akuzuar qeverinë se po i bën këto arrestime të politizuara. Kësaj i thonë vijnë vërdallë pesë hajdut, e ti polic o kapi të gjithë ose mos kap asnjë, se po ia dole të kapësh vetëm dy ti në fakt bën diskriminim selektiv të politizuar.

Në rastin më të mirë ky veprim i opozitës është një gafë,  e përfaqësuesit e sajnë kuadër të nihilizmit nuk dinë të peshojnë mirë se ku e drejtojnë kritikën, në rastin më të keq është përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar lidhjet e thella  e të vërteta me krimin dhe për të mbuluar e imunizuar kriminelët me një mburoje politike.

Në rastin e parë është me të vërtetë qesharake që të akuzohet policia se po bën arrestime të njerëzve të fajshëm për krime të rënda. Bela e madhe se bëhet kritikë edhe kur shohim që më  në fund një institucion thelbësor i shtetit, policia, është duke funksionuar siç duhet duke edhe larë borxhet e prapambetura të mëparshme. Sikur nuk dalin mjaftueshëm dritat, uji, infrastruktura, ekonomia, korrupsioni e çështje të tjera për të bërë kritikë ndaj qeverisë. Aq më tepër që nëse kjo është një manovër politike e qeverisë për të imponuar në axhendën publike ato çështje që janë më të volitshme për të, opozita nuk duhet të kapërdijë karremin e të përqendrojë vëmendjen tek këto gjera. Pra të përpiqesh të kundërshtosh e të përqendrosh vëmendjen tek një pikë e fortë e kundërshtarit në marrëdhënie me publikun është një harakiri sepse i bie të luash në terrenin e kundërshtarit me rregullat dhe armët që të imponon ai.

Në rastin e dytë duhet thënë që një distancim nga krimi i organizuar duhej që të ishte patjetër një pjesë thelbësore e të ashtuquajturës ‘politikë e re’ e propaganduar nga opozita e tanishme. Po kështu opozita duhet të ndërtojë një vizion realist për shtetin shqiptar duke u bërë pjesë e përpjekjeve për të vendosur shtetin ligjor dhe luftuar krimin. Policët, shikasit e gardistët e rënë në krye të detyrës në Urë Vajgurore, Vlorë, Cërrik, a tjetërkund nuk duhen parë më nga socialistët si këlyshë të Berishës por si heronj të heshtur vepra e të cilëve meriton nga shoqëria jonë mirënjohje e shpagim.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top