Liberalizimi i universiteteve dhe tregu i punes

Liberalizimi i universiteteve dhe tregu i punes

Liberalizimi i universiteteve dhe tregu i punes

Botuar tek gazeta Biznesi

 

 

Çështja e liberalizimit të universiteteve ka zënë një vend kyç për sa i përket vëmendjes së opinionit publik dhe debateve që ka ngjallur. Mënyra se si në tërheqje e sipër qeveria socialiste ndërmori procesin e liberalizimit që ishte proklamuar në fushatë nga partia demokratike, e bëri këtë çështje akoma më të turbullt.

Këto ditë është ndjerë më në mënyrë konkrete problemi i liberalizimit të universiteteve si pasojë e konkurseve të pranimit. Kushtet në të cilat u zhvilluan këto konkurse janë paralajmëruese të vitit të parë të studimeve që pritet të kalojnë ata që do dalin fitimtarë nga këto konkurse. Masivizimi i konkursit detyroi departamentet e ndryshme të Tiranës ti zhvillonin konkurset në kushte poshtëruese, aspak të denja për emrin e një universiteti. Së pari kjo gjë ka të bëjë me standardet e dyfishta pasi një pjesë e studentëve e bën konkursin në kushte relativisht normale, në klasa me banga, ndërsa të tjerë e bën konkursin në qiell të hapur ose në salla sportive. Pak a shumë e njëjta gjë i pret studentët e vitit të parë në universitete, pasi infrastruktura thjesht nuk mund të  përballojë  një numër kaq të madh studentësh përnjëherësh. Mjafton të mendohet për pamjaftueshmërine e klasave, bangave, banjove, teksteve, hapësirës në biblioteka, me të cilat përballet çdo fakultet, për ta kuptuar situatën. Situata përkeqësohet më tej kur vjen fjala për stafin pedagogjik i cili është tashmë tejet i ngarkuar. Te gjithë pedagogët sot në një mënyrë apo tjetrën e bëjnë tashmë më shumë punë sesa kanë normën dhe më shumë punë thjesht do ti shterojë ata ose do t’ua ulë shumë cilësinë e mësimdhënies. Përpos shumica e pedagogëve janë asistent të cilët janë aq të ngarkuar sa e kanë pothuaj të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të studimeve. Ndërkohë që për punë të pavarur kërkimore dhe për publikime akademike as që mund të bëhet fjalë.

Në fakt në parim shtimi i studentëve, e për rrjedhojë përmirësimi i cilësisë së burimeve njerëzore shqiptare, do ti shërbente zhvillimit ekonomik, politik dhe social të vendit tonë. Shumica e debateve të deritanishme të çështjes së liberalizimit është përqendruar tek dëmtimi të pashmangshëm që ky i fundit ka për t’i bërë cilësië së arsimit të lartë. Por me thënë të drejtën cilësia ekzistuese e arsimit të lartë lë tashmë shumë për të dëshiruar duke patur parasysh cilësinë e mësimdhënies në universitetet lokale dhe mungesën e rigorozitetit të studimeve part time dhe me korrespondence. Pra i vetmi ndryshim në aspektin cilësor ka për të qenë rritja e mëtejshme e numrit të personave që dalin të paaftë nga shkolle, dhe ca më shume apo ca më pak nuk bën ndonjë ndryshim të madh. Por problemi kryesor qëndron në faktin se kjo rritje e kuotave e distancon akoma më tej arsimin e lartë nga tregu. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për dëmtimin që i bëhet shkollave të larta private dhe fryrjes së shpenzimeve jo kost-efektive shtetërore për universitetet. Por bëhet fjalë për mospërputhja që shkollat e larta publike kanë nga tregu i punës.

Nga njëra anë kjo mospërputhje ka të bëjë me papërshtatshmërinë e specializimeve tek kuotat e pranimit në universitetet publike dhe nga ana tjetër ka të bëjë me mungesën e kërkesës në tregun e punës për individë të arsimuar mirë.

Në rastin e parë dihet që burimet ekzistuese të universiteteve shqiptare jo vetëm që janë të kufizuara, por edhe të menaxhuara keq dhe pa kurrfarë lidhje me tregun e punës. Kur caktohen kuotat e pranimit dhe shpenzimet për kapacitetet e universiteteve nuk merret aspak parasysh nevoja që ekziston në tregun e punës. Universiteti për disa fakultete dhe departamente vepron si një agjenci për luftimin e papunësisë që do të mbaj me zorr në punë disa pedagogë duke mbajtur hapur disa departamente për të cilat nuk ka interes. Këto departamente vazhdojnë të qëndrojnë të hapura në kushtet e një inercie që vjen nga komunizmi. Në atë kohë industrializimi i vendit dhe ndërtimi i industrisë së rëndë ishte prioritet dhe kjo reflektohej edhe tek degët inxhinierike të Universitetit të Tiranës. Mirëpo tanimë përpjekjet utopike kanë kohë që janë zhdukur dhe është qesharake që të mbahen hapur degë si inxhinieritë e minierave apo ato industriale kur në vendin tonë këto sektor të ekonomisë janë minimizuar. Numri i atyre që aplikojnë për tu futur në degë si shkencat ekzakte apo inxhinierinë e minierave janë më të vogla se kuotat e pranimit. Bile që të sigurohet mbajtja hapur e viteve të treta apo të katërta të këtyre degëve, ndiqet një politikë ku studentët kalohen me zorr në vitet e para apo të dyta. Për më tepër në disa degë të tilla, që të joshen studentët që të futen në shkollë, jepet afrofe bursë e plotë pavarësisht nga nevojat e studentit. Këto bursa vërtiten tek rreth 75000 lekë të vjetra dhe janë  më të larta se shumë pensione që jepen për pensionistë që kanë kaluar një jetë në punë duke derdhur kontribute për sigurimet shoqërore. Shumë të rinj abuzojnë dhe futen në këto degë enkas për të fituar të drejtën e një vendi në Qytetin Studenti dhe të bursës qyl, pa fijen e interesit për shkollën.

Sakaq asgjë nuk bëhet për të rritur kapacitetet e degëve të tjera që kanë më shumë kërkesa si degët e shkencave sociale, inxhinieria e ndërtimit dhe juridiku për të cilat ka shumë herë më tepër kandidatë sesa vende për tu futur.

Rasti i dytë ka të bëjë edhe me premisat që kanë justifikuar shqyerjen e kuotave të pranimit të studentëve gjatë këtij viti. Qeveria ka menduar se meqënëse numri yne i studentëve është më i ulti në Evropë atëherë mënyra më e mirë për të joshur studentët që të futen në shkollën e lartë, është  sipas tyre lehtësimi i pranimit tek to. Mirëpo kjo taktikë nuk e zgjidh aspak problemin e numrit të ulët te studentëve, pasi shkaku kryesor i këtij problemi është mungesa e motivimit për tu futur në shkollën e lartë. Kjo pasi shkolla e lartë sipas shumë të rinjve ose nuk e garanton vendin e punës, ose puna që garanton nuk është aq fitimprurëse.

Po të shikohen më vëmendje mundësitë që ka një i diplomuar për tu punësuar kuptohet se cilësia e diplomës që ai ka marrë nuk ka ndikim të madh tek punësimi. Punëdhënësi kryesor është sektori shtetëror, por për tu futur në këtë sektor nevojitet pasja e miqve, mbështetjeve politike apo ryshfetet. Punësimi nga ky sektor rrallë bëhet në kushtet e konkurencës dhe transparencës. Punëdhënësit e dytë janë kompanitë e mëdha të cilat deri më sot kanë qënë kryesisht në kushtet e monopoleve ose karteleve. Pra këto pak kompani të mëdha hasin pak konkurrencë në treg dhe për rrjedhojë nuk kanë nevojë të investojnë në pajtimin e burimeve njerëzore sa më të mira. Një tjetër disfavor i atyre që janë të arsimuar mirë ka të bëjë me profilizimet e ekonomisë shqiptare. Pjesa kryesore e ekonomisë përbëhet nga biznese të vogla ose të mesme që janë të ndërtuara kryesisht në bazë familjare e që nuk punësojnë njereëz që nuk kanë marrëdhënie gjaku me ta. Po ashtu sektorët kryesore të ekonomisë shqiptare si tregtia, bujqësia dhe turizmi vështirë se ka shumë vende pune për ata që dalin nga bangat e universiteteve shqiptare. Në kushtet e tanishme të ekonomisë shqiptare janë më të volitshme shkollat profesionale sesa universitetet. Të diplomuarit shqiptarë nga universitetet do të gjenin më shumë vende pune nëse sektori i prodhimit do të rritej, nëse do të kishte një specializim drejt teknologjive të larta dhe nëse sektori i shërbimit do të kishte biznese më të sofistikuara. Po ashtu nëse në Shqipëri do të kishte më shumë biznese të huaja të cilat sjellin me vete knoë-hoë të përparuar dhe çmojnë më tepër krahun cilësor të punës, padyshim që do të ngjallej konkurrenca e burimeve njerëzore dhe cilësia e arsimit do të merrte më shumë peshë.

Një tjetër problem është edhe pamundësia e lëvizjes së lirë e shqiptarëve dhe e njohjes së diplomave jashtë vendit. Si pasojë e një pasaporte me pak vlerë që zotërojmë, e kemi të vështirë të kërkojmë punë të kualifikuara jashtë vendit. Por edhe ata që jetojnë me dokumenta jashtë Shqipërisë e kanë shumë të vështirë të konvalidojnë diplomat shqiptare andej jashtë.

Duke parë këto dy situata, del e qartë që përpara se të bëhet liberalizimi qeverisë i takon të merret me dy probleme të tjera paraprakisht. Fillimisht i takon që ti bëjë universitetet ekzistuese më kost-efektive dhe ti vëri më shumë në shërbim të tregut të punës. Së dyti duhen marrë masa për liberalizimin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare pasi ky liberalizim do të sjelle konkurrencën në tregun shqiptar të punës. Një treg pune më konkurrent ka për ta rritur vlerën e arsimit në Shqipëri dhe ka për të rritur kërkesën për tu arsimuar. Vetëm pasi të ishin zgjidhur këto probleme, atëhere mbase do të duhej që shteti të rriste kuotat e pranimit, por gjithsesi rritja reale e kërkesës do të nxiste rritjen e ofertës private dhe nevojën për më shumë arsim të lartë do ta përmbushnin universitetet private.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top