Hapja e Universiteteve të reja si Hopi i Madh Përpara
Botuar tek gazeta Panorama
Në vitin 1958 Mao Ce Duni hartoi dhe vuri ne jetë një strategji të quajtur “Hopi i madh përpara†e cila sipas tij do të bënte të mundur nëpërmjet kolektivizimit dhe krahut masiv të punës që prodhimi kinez i çelikut të kalonte atë amerikan pas një dekade. Kjo ishtë një përpjekje e dëshpëruar për të nxitur industrializimin e Kinës duke rritur ndjeshëm prodhimin simbol të industrisë, pra çelikun. Strategjia konsistonte në ndërtimin e komunave me rreth 5000 familje secila dhe në çdo komunë u ndërtua nga një furrnaltë çeliku (në total u ndërtuan rreth 600 000) duke synuar që të shfrytëzohej në maksimum krahu masiv dhe i lirë i fshatarëve të kolektivizuar e të shndërruar në punëtorë si dhe të shmangej importimi i makinerive të rënda nga jashtë. I gjithë populli u përqëndrua tek prodhimi gjysëm amator i çelikut dhe shpesh edhe fabrikat, shkollat, ushtria braktisnin punën e tyre dhe merreshin me shkrirjen e çelikut. Fillimisht prodhimi industrial u rrit por në vitin 1961 filloi një pikiadë të menjëhershme dhe Kina arriti që të kaptë sërisht sasinë e prodhimit industrial të para 1958-ës vetëm në vitin 1964. Pasojat e kësaj politike në përgjithësi ishin të llahtarshme. Përqëndrimi i burimeve njerëzore drejt industrise dhe largimi nga bujqësia bëri që tre vitet 1959-1961 ta zhysnin Kinën në një katastrofë njerëzore. Gjatë kësaj periudhe, si pasojë e zisë së bukës që pllakosi kanë vdekur rreth 30 milionë njerëz.
Ky është një rast tipik dhe ekstrem i një politike të centralizuar që synonte rritjen e prodhimit nëpërmjet fragmentizimit të burimeve në periferi. Edhe strategjia e hapjes së universiteteve të reja, kuptohet që nuk është ekstrem si situata e Kinës, por ka tipare të ngjashme me Hopin e Madh Përpara pasi synon rritjen e numrit të studentëve që shkojnë në shkollën e lartë (po ashtu si kinezët që donin të rrisnin prodhimin e çelikut) nëpërmjet hapjen e universiteteve lokale (furrnaltave të komunave në rastin kinez).
Në fakt është e vërtetë që ne kemi një numër studentësh me të vërtetë shumë të ulët dhe kjo është një çështje që duhet ta shqetësojë qeverinë, kushdo qoftë në krye të saj. Ne kemi student rreth 1.5% të popullsisë që është edhe përqindja më e ulët në Evropë. Duke patur parasysh që shteti ynë ka popullsinë më të re në Evropë gjë që do të thotë se edhe përqindja e popullsisë që duhejt të ishte nëpër bangat e universiteteve është më e lartë se kudo në Evropë, atëhere padyshim që situata është alarmante. Por edhe kjo përqindje që kemi nuk është ndonjë numër për t’u patur parasysh si një arritje pasi një e treta e studentëve janë part time ose me korrespondence, dhe një pjesë tjetër e mirë është duke ndjekur shkollat e larta lokale të cilat lënë shumë për të dëshiruar. Pra arsimi i lartë shqiptar është në një gjendje shumë të rëndë dhe ky është një handikap që ka për të patur gjurmë të thella në të ardhmen e vendit tonë.
Në ekonominë e sotme roli i pozicionit gjeografik, sasia e popullsisë dhe prania e burimeve natyrore ka kaluar në plan të dytë dhe cilësia e burimeve njerëzore ka marrë një rol suprem. Mjafton të shikohet se kush vende janë të zhvilluara sot për të dalë në këtë konkluzion. Ekonomia e dytë më e fuqishme në botë është Japonia që ndodhet në ekstrem të Lindjes dhe që ka një terren gjeografik të ashpër dhe krejt shterpë për sa i përket burimeve natyrore. Megjithatë falë cilësisë dhe produktivitetit të lartë të krahut të punës në Japoni, ekonomia atje është shumë më e zhvilluar se vende si Rusia e cila për nga pasuria në burimet natyrore zë mbase vendin e para në botë. Edhe pse Rusia ka gjithë atë territor të gjerë e të pasur me minerale të ardhurat e rusve janë mbi dhjetë herë më të ulta se ato të hollandeze, ndërkohë që këta të fundit jetojnë të ngjeshur në një territor të ngushtë me nje pjesë të mirë të tij nën nivelin e detit. Pra përveç stabilizimit të sistemit ekonomik të tregtisë së lirë, përmirësimi i cilësisë së burimeve njerëzore shqiptare ëshë i domosdosshëm për të arritur zhvillimin ekonomik.
Mirëpo zgjidhja që është zgjedhur nga qeveria e tanishme është e gabuar dhe hapja e tre universiteteve të reja është një hap jashtëzakonisht i dëmshëm për gjithë arsimin e lartë shqiptar. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me deformimin e tregut të arsimit të lartë dhe të faktit që nëse shqiptarët duan të kenë shkollë të lartë atëhere ata duhet ta merritojnë atë duke paguar dhe duke e marrë nëpërmjet universiteteve private. Ironia e fatit është se shteti ynë vendos kushte jashtëzakonisht të vështira dhe kritere cilësie shumë rigoroze për hapjen e universiteteteve të reja private ndërkohë që nuk e ka për gjë që të hapi universitete të reja piramidë në qytete të tjera të Shqipërisë.
Po ashtu si kinezët me çelikun ne po nisemi edhe me shkollimin e lartë nga një premisë e gabuar, nga iluzioni që ne duhet “ti përmbushim nevojat me forcat tonaâ€. Përse vallë u dashka që të përpiqemi që të përmbushim nevojat për arsim brenda vendit, kur fare mirë studentët potencialë shiptarë mund të shkojnë e të studiojnë në vende të tjera. Dhe me thënë të drejtën kjo gjë nuk është aq shtrenjtë sa mendohet. Vende si Gjermania apo Franca e kanë shkollën falas dhe jeta në një vit shkollor aty kushton diçka tek 5000 euro në vit. Ndërkohë familjet shqiptare shpenzojnë afërsisht 1500 euro në vit për të mbajtur fëmijët në Universitetin e Tiranës ndërsa shteti shqiptar rreth 2500 euro për një student me shkëputje nga puna.
Megjithatë këto linja diskutimi nevojisin një artikull më vete për tu trajtuar. Por akti i fundit në vetvete i hapjes së tre universiteteve të reja publike është me të vërtetë shqetësuese për arsye të tjera.
Të hapësh universitete të reja lokale do të thotë të vendosësh prioritetin tek sasia dhe jo tek cilësia. Në fakt vendi ka nevojë për njerëz të kualifikuar mirë dhe jo për injorantë me diploma pasi kjo gjë thjesht e përkeqëson situatën egzistuese. Ne e kemi provuar tashmë taktikën e hapjes së universiteteve lokale dhe dihet mirë që ato kanë qënë një dështim i vërtetë për sa i përket cilësisë. Këto universitete janë katandisur më keq se shkolla të mesme të specializuara dhe në to e vetmja gjë që bëhet me sukses është kultivimi i korrupsionit dhe çertifikimi i injorancës. Ato shkolla janë bërë një gangrenë e vërtetë dhe nëse nuk merren masa urgjente refermuese, atëhere do të ishte më mirë të mbylleshin fare.
Hapja universiteteve të tjera publike thjesht do ta rëndojë situatën tashmë të rëndë. Përjashtim këtu mund të bëj universiteti i Durrësit pasi ky qytet është shumë afër Tiranës dhe fare mirë mund të konsiderohet si shtojcë e kapaciteteve universitare të Tiranës. Pra të njëjtit pedagogë që japin mësim në Tiranë kanë mundësi të udhëtojnë brenda ditës e të japin mësim në Durrës. Këtë gjë e bëjnë tashmë qindra mësues që shkojnë çcdo ditë nëpër fshatra çdo ditë. Ndërkohë që mijëra të rinj që jetojnë në Durrës dhe rrethinat e tij e që nuk mund t’ia lejojnë vetes të jetojnë në Tiranë ose të udhëtojnë për në Tiranë çdo ditë do kenë mundësi të studiojnë në qytetin e tyre. Për universitetin e Fierit dhe atë të Beratit fatkeqësisht nuk shikoj asnjë arsye bindëse (përveç ndonjë vote të shtuar) që të justifikojë një investim kaq të rëndësishëm.
Për të rritur numrin e studentëve, nëse ky është qëllimi kryesor mjafton që të zgjerohen kapacitetet egzistuese pasi kjo gjë kushton shumë më pak se hapja e universiteteve të reja dhe njëkohësisht mbahen nivele relativisht jo të ulta për sa i përket cilësisë. Fragmentizimi i burimeve tona që janë tashmë për të qarë hallin, është një kërcënim për cilësinë pasi është më cilësore një bibliotekë me 100 000 tituj sesa të hapësh tre shkolla ku secila të ketë të njëjtat 33 000 tituj, pra 66 000 tituj librash që studentët nuk do mund ti kenë në dispozicion. Në një farë mënyre analoge kjo ndodh edhe me shkollat e larta. Kush do shkoj të jap atje mësim, kur mbi 60% e pedagogëve shqiptar nuk kanë një gradë master e jo më një doktoraturë. Gjithashtu kush mbetet për të shkuar të studiojë në universitetet e reja lokale, kur dihet që tashmë 74% e maturantëve e kanë një vend në universitetet e Shqipërisë duke filluar nga 2004ë Edhe sikur t’ë arrinim të ofronim vende për 26% e maturantëve që mbeten (pa llogaritur këtu ata që shkojnë të studiojnë jashtë), ne prapëseprapë do të kemi përqindjen më të ulët të Evropës për sa I përket studentëve. Prandaj nëse duam të shtojmë numrin e studentëve mbase së pari duhet ta bëjmë arsimin e lartë më joshës dhe dobishëm (gjë për të cilën këto taktika të fundit nuk hyjnë në punë sepse ulin cilësinë e për rrjedhojë dobinë e universitetit) dhe së dyti, duhet ta përqëndrojmë vëmendjen tek arsimi parauniversitar dhe jo ai universitar.