TVSH-ja si pleh qe kultivon injorancën e ndot klimën e biznesit
Botuar tek gazeta Panorama
Politika fiskale më e fundmit e vendosjes së TVSH-së për arsimin privat dhe për importin e librave të huaj erdhi si rrufe në qiell të kthjellët. Kjo sepse procesi u bë me ngut të madh pa konsultim me palët e interesuara dhe sepse kjo masë bie ndesh me premtimet elektorale dhe del në kundërrymë me politikat më të hershme fiskale të kësaj qeverie që kanë konsistuar në uljen e barrës fiskale (si psh. taksa e sheshtë apo përgjysmimi i taksave për bizneset e vogla dhe të mesme). Ndërkohë që qeveria e ka vendosur arsimin në plan të parë të veprimtarisë së vetë dhe me të vërtetë ka ndërmarrë disa reforma të frytshme në këtë fushë, kjo masë nuk bën gjë tjetër veçse dëmton rëndë nivelin e arsimit dhe të kulturës në përgjithësi në Shqipëri. Taksa mbi vlerën e shtuar, per se, ka si impakt kryesor ngarkimin me barrë të konsumtarorit dhe prandaj zakonisht vihet për të dekurajuar konsumin dhe nxitur nivelin e kursimeve. Mirëpo në rastin tonë nuk është duke bërë gjë tjetër përveçse po dekurajon investimin e mëtejshëm të familjeve shqiptare në arsimimin e fëmijëve të tyre dhe në blerjen e librave që vijnë nga jashtë.
Sakaq kryeministri kushedi sesa herë radhazi ka përmendur me mburrje faktin që familjet shqiptare janë të gatshme të harxhojnë më shumë për arsimin e fëmijëve të tyre dhë për të blerë libra për ta. Mbase ka një llogjikë që të dekurajohen shpenzimet në mallra konsumi luksoz apo në shpenzime për konsum të menjëhershëm zbavitjeje por kurrësesi për arsim dhe lexim. Arsimi dhe leximi duhet të trajtohen nga shteti si sektorë strategjik sepse çdo investim në dije do të thotë përfitim publik të burimeve cilësore më konkurruese dhe të suksesshme si dhe shtetas më të qytetëruar dhe më të lexuar (ne mbajmë vend rekord në Evropë për moslexim librash e për library e biblioteka të varfëra). Arsimi madje është një përgjegjësi publike dhe shteti duhet që të ngazëllehet që sipërmarrja private si dhe vetë konsumatorët janë të gatshëm të hedhin para në këtë sektor duke e lehtësuar buxhetin e shtetit (buxheti shqiptar për arsimin është ndër më të ultit në Evropë qoftë në përqindje të buxhetit e qoftë në vlerë absoslute ) si dhe duke e plotësuar përpjekjen e shtetit për shkollimin e shoqërisë. Porse familjet që kanë dëshirë të çojnë fëmijët e tyre në shkolla private jo vetëm që nuk përfitojnë nga buxheti publik asnjë kacidhe për arsimimin e fëmjëve paçka se i kanë paguar taksat, por tanimë duhet të ngarkohen me pagesa edhe më të mëdha që shtohen falë rritjes së TVSH-së. Nga vendosja e TVSH-së mbi importin e librit të dytët që penalizohen pas lexuesve janë botuesit shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, librat e të cilëve do të jenë 20% më të shtrenjta për konsumatorin e Shqipërisë. Dhe këtu haset inkoherenca e radhës, nga një anë kjo qeveri pretendon se për kauzën kombëtare po harxhon rreth 700 milionë euro për të lidhur dy anët e kombit me rrugën patriotike e nga ana tjetër dëmton rëndë integrimin kulturor të kombit tonë duke rritur koston e qarkullimit të librit shqip. Por kjo politikë fiskale dëmton edhe besimin e investitorëve tek qeveria pasi në një farë mënyre ka një efekt prapaveprues sepse ndryshon rregullat e lojës në mes të rrugës. Arsimi i lartë privat ka hapësirën më të ngushtë dhe vështirësinë më të madhe të konkurrimit si sektor pasi garon përball arsimit të lartë shtetëror falas. Ky sektor gjithashtu është i pakonsoliduar dhe konsiston në investime të kohëve të fundit dhe padyshim që investitorët kanë bërë planet e tyre të biznesit, planifikuar investimet e madje marrë edhe kredi duke u nisur nga sistemi i mëhershëm fiskal pa TVSH-në. Rritja e TVSH-së do të reflektohet padyshim në uljen e normës së fitimit si dhe në rritjen e çmimit. Rritja e kostos së shkollimit do dekurajojë klientët e ardhshëm e për rrjedhojë sërish do dëmtojë normën e fitimit e fare lehtë mund të çojë në falimentim. Një situatë e ngjashme ka qenë ajo e taksimit të lojërave të fatit me një barrë të rëndë fiskale pasi kompania e kazinosë e kishte bërë tashmë investimin. E si mund të inkurajohet klima investitore për të ardhmen në Shqipëri kur nuk mund të bësh dot një projeksion as dy tre vjeçar të një investimi duke qenë se nuk je i sigurtë nëse do vazhdojnë apo jo këto rregulla loje dhe qeveria luhatet në mënyrë të paqëndrueshme e të paqartë me politikat e vetaë Nga njëra anë deklarohet me të madhe se vendi ynë është në procesin e integrimit evropian dhe liberalizmit e nga ana tjetër ndërmerren masa të pastra merkantiliste që synojnë të favorizojnë disa pronarë të veçuar të shtypshkronjave private që kanë lidhje me pushteti në kurriz të gjithë lexuesve shqiptarë. Po kush janë rrethanat rënduese të kësaj llogjike fiskaleë Ngritja e TVSH-së në vetëvete shkon kundër idesë së qeverisë së vogël, miniarkizmit liberal, sepse rëndon nivelin e taksimit dhe bën të mundur transferimin e më shumë burimeve prej sektorit produktiv të ekonomisë drejt sektorit publik duke dëmtuar efikasitetin e ekonomisë. Edhe sikur mos të kishim fare të bënim me zhgënjimin prej mungesës së identitetit të djathtë të qeverisë dhe mashtrimin me ideologjine e premtuar liberale apo platformën politike të premtuar, në kushtet konkrete rritja e sektorit publik dhe shtimi i të ardhurave të qeverisë është i pajustifikuar sepse efikasiteti i shpenzimeve publike lë shumë për të dëshiruar dhe i pandershëm sepse shteti vetë nuk i paguan siç duhet detyrimet kur bëhet fjalë për TVSH-në. Në rastin e parë shteti kërkon të vjelë më shumë para nga publiku mirëpo nuk ka rritje as në mirëadministrimin e fondeve, as në efikasitetin e shpenzimeve publike e as në transparencën apo integritetin e mënyrës sesi bëhen këto shpenzimeve. Deri në tetorin e kaluar qeveria me zor kishte bërë diku tek 40% të disbursimit të buxhetit publik që do të thotë që qeveria paratë ti merr por nuk të jep aq sa duhet në këmbim për to, as shpenzime publike as shërbime të mira. Pse iu dashkan dhënë më shumë para qeverisë kur kjo qeveri nuk është e aftë të shpenzojë siç duhet me efikasitet paratë e marra nga populli deri tani dhe ku shërbimet publike nuk njohin përmirësim (mjafton të përmendet mosfurnizimi me energjinë elektrike apo ujësjellësi). Le më pastaj që raportet ndërkombëtare nuk dëshmojnë për ndonjë ulje të korrupsionit dhe aq me tepër që shumica e shpenzimeve qeveritare bëhet me ngut, shkel e shko, në muajt e fundit të vitit. Vetë mbështetja e buxhetit të shtetit tek TVSH-ja madje ka një efekt regresiv sepse ngre koston e produkteve për përdorim personal që do të thotë se të varfërit paguajnë më shumë ndërsa të pasurit e ndjejnë më pak. Vendosja e TVSH-së në vetëvete përmban edhe tre pandershmëri të mëdha. Së pari mbështetetja e buxhetit tek TVSH-ja dëshmon se shteti është i paaftë që të godasë evazionin fiskal duke mos vjelë siç duhet tatimin mbi fitimin e individëve apo tatimin mbi të ardhurat e kompanive. TVSH-ja vilet më lehtë se këto të fundit të cilat mund të fshihen më mirë. Për shembull në rastin e universiteteve private për studentët (klientët) për secilin student ka një numër amze në regjistër dhe një kontratë shoqëruese pra dashur pa dashur çdo tranzaksion është i regjistruar mire sepsë përndryshe studenti nuk merr diplomë të njohur nga shteti. Së dyti shteti e vjel lehtë TVSH- faturën fiskale në momentin transaksionit, porse nuk e rimburson kurrë kur i takon ta rimbursojë. Sipërmarrrësit në rastin më të mirë paguajnë ndonjë përqindje rryshfet tek ofiqarët përkatës për të marrë atë që iu takon me ligj por në rastin më të keq dhe më të shpeshtë iu duhet ta harrojnë fare rimbursimin e TVSH-së. Pandershmëria e tretë, dhe kjo lidhet disi me pjesën e parë të artikullit, ka të bëjë me faktin që rritja e TVSH-së është duke u kryer në mënyrë arbitrare dhe selektive pikërisht tek arsimi dhe librat, me efekt të dëmshëm për interesat publike dhe pa ndonjë impakt shumë domethënës tek të ardhurat buxhetore. Pse asnjë qeveri nuk ka vendosur ende TVSH-në për ndërtimin që përbën çerekun e ekonmisë shqiptare e merret me një sektor të papërfillshëm për sa i përket të ardhurave që sigurohen në buxhet por shumë të rëndësishëm për sa i përket diturisë dhe kulturës së shqiptarëveë Për faktin e thjeshtë që sektori i ndërtimit ka lobet më të fuqishme në vend që kanë shërbyer si financuesit kryesorë të fushatave elektorale dhe ky sektor ka një pjesë të mirë të politikanëve qoftë të pushtetit e qoftë të opozitës të përfshirë si në mitmarrje ashtu edhe vetë në sipërmarrje.