Sulmi i tregut privat ndaj drejtesise se shtetit

Sulmi i tregut privat ndaj drejtesise se shtetit

Sulmi i tregut privat ndaj drejtesise se shtetit
Botuar tek gazeta Tirana Observer
 

Për një shoqëri etatiste si kjo jona, dmth për një shoqëri që kërkon një rol dominant të shtetit, është shumë e vështirë që të shikojë tërheqjen e dorës së shtetit nga ato funksione që mund të kryen fare mirë nga iniciativa private apo nga shoqëria civile. Nga ana tjetër në kushtet e demokracisë përfaqësuese shtetet përçojnë vullnetin e shumicës së publikut duke iu përgjigjur kërkesës së tyre për të mbajtur një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike. Kjo është në një farë mënyre kriza që po përjetojnë vendet e Evropës Perëndimore që kanë një sistem të zhvilluar të mirëqenies sociale, ku nevoja për të çmontuar sistemin ekzistues socialist përplaset me pjesën më të madhe të popullsisë që në një farë mënyre përfiton prej këtij sistemi dhe që në kushtet e demokracisë rrëzon çdo qeveri që guxon të ndërmarrë më të voglën reformë. Kjo është arsyeja pse Shrëder humbi brenda partisë së vetë dhe pse Franca po i kundërvihet reformës së fundit të qeverisë për tregun e punës. More...
Në Shqipëri etatizmi mbetet i fortë si një reminishence e të kaluarës komuniste edhe pse shqiptarët e kanë përjetuar vetë mënyrën sesi sektori privat ka zëvendësuar me efikasitet shumë shërbime publike. Kështu shqiptarët të cilët në fillim të viteve nëntëdhjete shqetësimin kryesor të ditës kishin mungesën e bukës, ujit dhe dritave zbuluan se mungesa e bukës u zhduk dhe konsiderohet e paimagjinueshme në kushtet kur i gjithë prodhimi dhe tregtimi i bukës mbetet në dorën e iniciativës private. Po kështu përvoja të tjera siç është dallimi në efikasitet mes pjesës private të shëndetësisë që është private si biznesi i farmacive dhe dentistëve me atë pjesë që është publike, që janë spitalet, dëshmojnë hapur për avantazhin e tregut privat në sigurimin e shërbimeve publike.
Në fakt historikisht tregu privat ka treguar se është i aftë për të zëvendësuar në mënyrë efikase shtetin edhe në shërbime të tjera që konsiderohen nga një shumicë dërrmuese si ekskluzive të shtetit. Kështu një ndër shërbimet që konsiderohen domen ekskluziv të shtetit është drejtësia. Edhe kapitalistët më të thekur e konsiderojnë të tepruar vënien në dyshim të monopolit të shtetit ndaj sistemit të gjyqësisë. Mirëpo ekziston një formë drejtësie, ajo e arbitrazhit, që ka dëshmuar se për nevoja të caktuara është shumë më efikase se drejtësia e shtetit.
Arbitrazhi është një formë ndërmjetësimi, negocimi dhe paqësimi mes dy palëve që janë në konflikt nga një aktor tek i cili të dy palët kanë  besim. Kështu kur dy palë kanë një mosmarrëveshje me njeri-tjetrin ata paraqesin pozicionet përkatëse tek një palë e tretë neutrale, që vepron si arbitër dhe që mban një qëndrim që respektohet nga të dy palët. Arbitrazhi është shumë i dobishëm sidomos në vende ku sistemi gjyqësor formal është i pafuqishëm, i ngadaltë dhe kur nuk gëzon besueshmëri të gjerë publike.
Arbitrazhi ka gjykatës që janë juristë me përvojë dhe reputacion të lartë që veprojnë si arbitra të mirëfilltë Ata marrin pjesë në mënyrë aktive gjatë shqyrtimit të një çështje konflikti duke pyetur vetë dëshmitarët, duke analizuar faktet dhe duke parashikuar dëmshpërblime të përshtatshme. Arbitrat mund të vizitojnë vende që janë jashtë sallës së gjyqit, të thërrasin vetë ekspertizë ligjore apo fakte shtesë, pra të bëjnë veprime që nuk do mund të bëheshin në një gjykatë të shtetit. Ky fleksibilitet i jashtëzakonshëm i jep një avantazh të madh gjykatës së arbitrazhit duke zbardhur e hulumtuar çështje me një skrupulozitet dhe imtësi që nuk do të ishte e mundur tek gjykatat e shtetit .
Një tjetër avantazh, është hapësira e madhe që ata kanë në përcaktimin e dëmshpërblimit gjatë vendimit të arbitrazhit. Arbitrat nuk janë të detyruar që t’u përmbahen precedentëve dhe kanë boll hapësirë që t’i shqyrtojnë çështjet rast pas rasti.
Sistemi është shumë i përshtatshëm për të anashkaluar sistemin shtetëror ligjor sidomos për çështje  në vendet ku proceset gjyqësore shtetërore konsiderohen të njëanshme. Në këtë rast në mënyrë të vullnetshme dy palë që hynë në kontratë preferojnë që të zgjidhin marrëveshjen tek një arbitër ku të dy palët kanë besim sesa tek shteti për gjyqësinë e të cilit mund të ketë dyshim. Pra arbitrazhi përdoret kur të dy palët kanë besim tek një arbitër. Për të siguruar një arbitrazh akoma më të besueshëm për çështje delikate e të vështira, shpesh çështja diskutohet nga një panel arbitrash. Por në përgjithësi reputacioni i arbitrit është kyç në ecurinë e punës së tij dhe për të ardhurat që ai nxjerr prandaj arbitri bën çtë mundet që ta mbaj të lartë këtë reputacion. Kjo pasi marrja e një vendimi të dyshimtë do ta flakte njëherë e përgjithmonë këtë arbitër nga biznesi I arbitrazhit dhe do mund ta çonte në akuza ligjore të ngritura nga palët që kanë arsye për të menduar se vendimi I arbitrit ishte I njëanshëm.
Një avantazh tjetër shumë I rëndësishëm I arbitrazhit është kostoja e ulët, ose më saktë sasia e parave që arbitrazhi kursen duke vepruar në mënyrë më të shpejtë. Në gjykatat shtetërore një mosmarrëveshje ekonomike mund të zgjasë vite të tëra duke kaluar nga gjykata e shkallë së parë tek apeli dhe gjykata e kasacionit. Kjo do të thotë që shuma, prona, biznese apo projekte të mëdha të ngelen pezull për një kohë të gjatë duke pritur një zgjidhje. Kjo vonesë sjell kosto të cilat mund të jenë shumë herë më të larta sesa dëmi për të cilin është bërë padia. Për forma të caktuara biznesi siç është tregu financiar , vonesa më e vogël mund të jetë shkatërrimtare për një biznes.
Origjina më e hershme e njohur i organizimit të një gjykate arbitrazhi krejt private është gjykata britanike e quajtur “Court of Piepowders”. Kjo gjykatë e veçantë organizohej ad hoc nga ndonjë rajon me rastin e ndonjë panairi apo pazari të madh sezonal. Këto gjykata kishin juridiksion të madh për veprimet personale që bëheshin në këtë Pazar, përfshi këtu mosmarrëveshje mes tregtarëve, vjedhjeve dhe formave të dhunës. Kjo lloj gjykate filloi në mesjetë dhe lulëzoi me rritjen e tregtisë ndërkombëtare dhe konsistonte në dhënien e një ndërmjetësimi e gjykimi të shpejtë. Në fakt vetë emri Piepowders vjen nga frëngjishtja pieds poudrés që do të thotë këmbë të pluhurosura duke iu referuar tregtarëve që vinin nga ana e anës, të pluhurosur nga rruga, dhe që nuk kishin nge të qëndronin gjatë e të prisnin gjykatat konvencionale për të dhënë gjykimin mbi një rast mosmarrëveshje.
Gjykimi nëpërmjet arbitrazhit është shpesh me kosto të ulët jo vetëm sepse e zgjidh një gjë më shpejt se gjykatat shtetërore të cilat i zvarrisin çështjet, por edhe sepse vetë procesi është  më I lirë në vetvete. Për shumë raste mosmarrëveshje ekonomike palët që kanë një mosmarrëveshje nuk kanë nevojë të pajtojnë një jurist të shtrenjtë që të njohë në detaje dispozitat ligjore apo precedentët e shumtë, pasi kjo njohje nuk do të jetë e nevojshme.
Pra siç shihet në çështjet tregtare arbitrazhi është jashtëzakonisht efikas, I lirë dhe I shpejtë dhe kjo është arsyeja pse rreth 70% e mosmarrëveshjeve tregtare nëpër botë zgjidhen nëpërmjet arbitrazhit sot Por arbitrazhi mund të përdoret që të zëvendësojë sistemin shtetëror jo vetëm për çështje tregtare por edhe për çështje të tjera. Kështu në Shtetet e Bashkuara arbitrazhi përdoret me sukses për të zgjidhur konfliktet familjare sidomos kur bëhet fjalë për caktimin e mbajtjes së fëmijës në rastet e divorceve. Po kështu arbitrazhi përdoret me efikasitet në kontratat e punës dhe në bizneset e siguracioneve për të zëvendësuar ndërhyrjen e shtetit . .  Pra po ashtu sikurse buka sigurohej më lehtë, më mirë dhe më lirë nga shumë aktorë privatë sesa  nga shteti, ashtu edhe arbitrazhi mund të bëjë të papërdorshme kompetenca të shtetit edhe tek ato kompetenca që shumica i quan kështjella të pamposhtme të shtetit.
 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top