Shqipëria e parë prej optikës së Big Brother
Botuar tek gazeta Shqip
Â
Uragani Big Brother pasi është vërtitur për pothuaj dhjetë vite me radhë nëpër mbi 70 shtete të botës përfshiu së fundmi edhe Shqipërinë. Janë të panumërta familjet shqiptare që rrinë të gozhduara para ekranit duke vëzhguar gjithë kureshti disa njerëz që vullnetarisht janë ofruar si kavie në një eksperiment që synon të simulojë në një far mënyre Oqeaninë e përshkruar në kryeveprën e Orwell-it. Ideja e këtij programi televiziv derivon prej romanit 1984 të shkruajtur në 1949, dhe ka si thelb një shtëpi laborator ku banorët janë të izoluar nga bota e jashtme dhe gjenden nën vëzhgimin e vazhdueshëm të shumë kamerave dhe mikrofonave nën moton e librit Big Brother is watching you (Vëllai i madh po ju mban nën mbikëqyrje).
Emisioni Big Brother në Shqipëri padyshim që i ka dhënë jetë shumë diskutimeve apo komenteve lidhur me realitetin që ravijëzohet në shtëpinë më të famshme shqiptare por ajo që më së shumti më ka ngacmuar mua ka qenë lidhja e këtij emisioni me librin e sipërpërmendur i cili është një ndër librat e mi më të preferuar. Por mbase duhet të them më mirë lidhja në formë sesa në përmbajtje të realitetit Big Brother.
George Orwell në librin e tij paraqet një realitet totalitar të cilin shqiptarët mund ta kuptojnë më lehtë se kushdo tjetër, pasi skenarin e shkruajtur në këtë roman e kanë pas vënë në skenë me besnikëri të plotë për gjysmë shekulli dhe ende po vuajnë nga vragat që ka lënë pas kjo përvojë tejet e hidhur. Megjithatë emisioni televiziv paçka se gjen tek Orwell-i frymëzimin, në përmbajtje në fakt ngjason me një libër tjetër po aq mbresëlënës dhe domethënës të titulluar Brave New World (Botë e re guximtare), të shkruajtur me mjeshtëri e largpamësi marramendëse nga Aldous Huxley në vitin 1932.
Janë të shumtë ata që kanë bërë një paralelizëm mes dy librave të cilët me të vërtetë kanë shkundur bashkëkohësit atëherë kur janë botuar. Të dy librat flasin për një realitet utopik, totalitar dhe për një hero që befas bëhet rebel dhe ngre krye ndaj realitetit. Por dallimi kryesor mes dy librave është që Orwell flet për një diktaturë të shekullit XX ndërkohë Huxley vë alarmin për një diktaturë që i përket së ardhmes, mbase shekullit të XXI, dhe në një far mënyre karakteret që shpalosen në lojën televizive Big Brother në Shqipëri i japin të drejtë Huxley-t. Totalitarizmi Orwellian fatmirësisht tregon së po i përket të kaluarës me përjashtim të Koresë së Veriut dhe Kubës ku njerëzit e sfilitur mezi po presin që Kastro të rrëshqasë më në fund në varr.
Kështu sikurse ka vënë në dukje eksperti i njohur amerikan i medias, Neil Postman ne po përballemi me rrezikun që përparimi teknologjik të na shërbejë si zëvendësues i vlerave njerëzore. Orwell flet për një realitet ku ka libra të ndaluar, Shqipëria jonë e dashur 1945-91; Huxley për një vend ku librat lejohen por nuk i lexon kush, Shqipëria jonë 1991-në vijim e ilustruar nga personazhet e Big Brother në TV. I pari flet për izolimin nga informacioni, ndërsa i dyti për një realitet ku informacioni është masiv aq sa nxit egoizëm dhe plogështi tek qytetari, i pari për një botë ku mbulohet e vërteta, i dyti për një realitet ku e vërteta ndodhet në një oqean kotësie; i pari për një pushtet të ndërtuar dhe mbështetur tek dhuna dhe nënshtrimi i dyti tek një shoqëri që jepet pas qejfeve të zbrazëta dhe e mpirë nga një lloj hipnoze kolektive; i pari për sundimin e propagandës, i dyti për sundimin nëpërmjet shpërqendrimit dhe çorientimit.
Por le ti rihedhimi një vështrim Big Brother-it shqiptar dhe të analizojmë pse mund të konsiderohet deri diku si përmbushje e profecisë së Aldous Huxley. Pikësëpari personazhet e atyshëm nuk duhen parë veçmas por si një kampion që në më të shumtën e rastit përfaqëson prirjet e rinisë shqiptare. Dhe këtu le të heqim dorashkat, të gjithë e dimë e duhet ta pranojmë që rinia shqiptare është duke u fundosur në injorancë, duke mos lexuar libra e duke e parë shkollën si një vend ku shtyhet koha e gjenden miq. Të rinj që janë duke shpërdoruar dritaren më të madhe të informacionit të njerëzimit, internetin, për lojëra virtuale, për të parë porno si dhe për Chat-e për të ‘peshkuar’ partnerë. Të rinj që nuk shikojnë në largpamësi, por vrasin mendjen si të shtyjnë pasditen e radhës, që nuk ndjekin kauza apo nuk kanë vokacione, nuk kanë fe, por që mjaftohen me një ndeshje sportive apo një telenovele amerikano-latine. Të rinj që nuk kanë individualitet të spikatur, ndjekin me besnikëri modën e nuk ushqejnë kreativitetin apo origjinalitetin vetjak. Të rinj që qëndrimin më kurajoz publik kanë mbrojtjen në një tryezë kafeneje të një skuadre futbolli apo të një aktori apo këngëtareje. Të rinjtë tanë nuk merrem me aktivizim social, nuk janë të angazhuar në shoqata joqeveritare apo parti politike por fillojnë që të hënën që të bëjnë përgatitje sesi do kalojnë fundjavën. Të rinj që nuk kanë pasione artistike që të këmbëngulin në realizimin e veprave, nuk merren me sport ku të synojnë arritje por që pasionin e gjejnë tek hedonizmi, shijimi i një veshje firmato apo ngarja e një makine luksoze. Të rinj që nuk e kanë haberin nga gjeografia politike, ngatërrojnë Austrinë me Australinë, Slloveninë me Sllovakinë por që dinë të të rreshtojnë përmendesh me një frymë emrat e klubeve të natës të Bllokut përfshi këtu emrat e baristëve apo deejay-eve që luajnë në to. Të rinj që nuk dinë gjë për reformën elektorale që ka nxjerrë parlamenti shqiptar por që dinë të thonë se Christian Dior ka nxjerrë një parfum të ri. Të rinj që ndihen më afër yjeve hollivudiane të Sunset Boulevard sesa banorëve të Gërdecit e që kujtohen disi për hallet e Shqipërisë vetëm kur ikin dritat e semaforit dhe bëhet lëmsh trafiku.
Dhe Huxley na paralajmëron pikërisht për një diktaturë që bën zap një shoqëri ku njerëzit heqin dorë nga arti, shkenca, letërsia, historia, monogamia, feja, individualiteti apo aktivizmi në këmbim të lumturisë së menjëhershme që vjen nga qejfe sipërfaqësore (seksi si aktivitet social, kafeneja, pubet, rroba të bukura , lëvdatat e momentit, pispillosjet, thashethemet) ose nga gëlltitja e drogës soma (ekuivalent të sotshëm soma do të kishte alkoolin, hashashin, exctasy apo pilulat anti-depresion). Një lloj panem et circenses (buke dhe cirk për të shpërqendruar popullin në Romën e lashtë) po buka e sotshme është makiatoja e shoqëruar me një cigare slims dhe cirku është televizioni, por kujdes, jo ai informativ, por ai zbavitës me filma e telenovela.
Këtu patjetër që duhet të përmendet se ka edhe përjashtime të rralla të rinjsh të cilët ndryshe nga rregulli, merren me çështje dhe janë vizionarë, lexojnë e studiojnë, kanë ideale dhe qëllime, kanë pasione dhe individualitet, kanë talent dhe çmojnë vlera. Këta janë për t’u inkurajuar pasi e kanë jetën të vështirë të stigmatizuar prej uniformitetit dhe mediokritetit që ka pllakosur rininë shqiptare dhe japin një rreze drite për lirinë dhe demokracinë shqiptare.  Ku ma gjen të ishin më të shumtë! Por fatkeqësisht ka njerëz në Shqipëri që në jetën e tyre janë aq të mallkuar nga fati sa të përjetojnë kalimin nga një realitet Orwell-ian në një realitet Huxley-ian. Aldous Huxley po paska të drejtë, e ardhmja jonë nuk është aspak premtuese po qe se vazhdohet në këtë drejtim!!!
Â
Â
Â
Â