Shërbimi ushtarak i detyrueshëm shkel Kushtetutën

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm shkel Kushtetutën

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm shkel Kushtetutën
botuar ne gazetën Metropol

 

Pamjet që vijnë nga tragjedia e Azisë Juglindore dhe përkujtimi i nëntë janarit të vitit të kaluar në një farë mënyre të kujton paaftësinë e qeverisë sonë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të vetë dhe mos përgatitjen e ushtrisë shqiptare për të përmbushur detyrën. Në fakt aty këtu kujtohemi që edhe ne paskemi ushtri kur ndërtohet ndonjë copë rruge ose kur flitet për ushtarët tanë në Irak. Ushtria shqiptare doli në pah në mënyrë pompoze vetëm me paradën e datës 29 nëntor 2004. Parakalimi i ushtrisë përveçse jepte një ndjenjë drithëruese “déjà vu”nga komunizmi , tregoi ushtrinë shqiptare të pajisur me armatosjen primitive të komunizmit ose me ndonjë ndihmë ta ardhur nga kushedi se ku.
Por nuk është teknika luftarake gjëja që më tërhoqi vëmendjen, por fytyrat e zbehta dhe jo shumë të shëndetshme të ushtarëve që morën pjesë aty dhe të ushtarëve të gardës që shikoj të ruajnë institucionet çdo ditë . Ky konstatim më bëri të mendoja për mënyrën e rekrutimit të ushtarëve shqiptarë dhe për cilin grup të shoqërisë shqiptare shkon në ushtri. Në fakt pamja e ushtarëve dallonte goxha nga pamja e djemve të shëndetshëm e të veshur mirë që hasen rrugëve të bllokut. Kjo ndodh sepse sot në ushtrinë shqiptare shkojnë vetëm djemtë e grupeve më të varfra të popullit shqiptar.

Shërbimi ushtarak në Shqipëri është i detyrueshëm për djemtë e rinj porse mund t’i bëhet bisht duke paguar një shumë disa milionëshe. Një lloj sistemi bedeli i epokës moderne. . Kjo mundësi lejon familjet e pasura që të shmangin ushtrinë për fëmijët e tyre duke lënë në ushtri vetëm ata qe nuk kanë mjaftueshëm para për të paguar këtë tarifë. Ky sistem nuk është gjë tjetër veçse një diskriminim i hapur e i institucionalizuar që bie drejtpërdrejtë ndesh me kushtetutën tonë, sipas së cilës të gjithë janë të barabartë para ligjit. Pagesa nuk është gjë tjetër veçse një census pasurie që diskriminon më të varfrit e favorizon më të pasurit. Ja pse ushtarët që shohim janë kryesisht të rinj që vijnë nga zonat rurale dhe jo qytetarët e pispillosur që mbushin kafenetë e Tiranës. Kjo situatë tregon se qeveria socialiste edhe pas tetë vitesh pushtet akoma e ka të paqartë rolin dhe organizimin e ushtrisë shqiptare dhe në mënyrë të shkujdesur ka shkelur kushtetutën për një kohë të gjatë.

Në fakt vetë sistemi I shërbimit ushtarak të detyrueshëm duhet rikonsideruar. Ne nuk jemi më ushtri popull siç konceptohej gjatë komunizmit prandaj nuk mund të kërkojmë që çdo qytetar të kalitet e stërvitet për mbrojtjen e arritjet e pushtetit popullor. Në shtetet e përparuara perëndimore, shërbimi ushtarak nuk është më I detyrueshëm por profesionist dhe mobilizimi i civilëve konsiderohet vetëm si një eventualitet ekstrem vetëm për rastet kur liria e vendit është në kërcënim. Sot ushtri të detyrueshme kanë kryesisht vendet e prapambetura, ato të militarizuara, diktatoriale dhe vendet që kanë konflikte të hapura si Izraeli dhe Turqia.

Dihet mirë që Shqipëria nuk kërcënohet të pushtohet prandaj nuk ka pse të gjithë të rinjtë të mobilizohen. Shërbimi ushtarak detyron një djalë të robtohet fizikisht, të mos shkoj një vit në shkollë, të mos nxjerrë para me punë si dhe të qëndrojë larg familjes për një kohë të gjatë. E gjithë kjo, vetëm për një veprimtari parazitare që nuk i sjell kurrfarë dobie për të ardhmen. Shërbimi ushtarak i detyrueshëm. nuk duhet parë si një e keqe e domosdoshme. Ne fare mirë mund të bëjmë edhe pa të dhe duke patur vetëm me një ushtri profesionale të vogël. Rritja e efektshmërisë të ushtrisë vjen vetëm me profesionalizimin e ushtrisë. Kur njerëzit e bëjnë me zor ushtrinë, padyshim që nuk mund të pretendohet që ata të shërbejnë mirë. E kundërta ndodh kur ata zgjedhin vetë këtë karrierë dhe paguhen për punën që bëjnë.

Ne e kemi patur shërbim ushtarak të detyruar gjithmonë dhe historia e viteve të fundit ka dëshmuar se ajo ka dështuar në misionin e saj. Ushtria jonë u shkërmoq në mënyrë të turpshme si kala prej letre në vitin 1997 dhe ushtarakët tanë nuk mundën as të mbronin dot flamujt e reparteve ushtarake të tyre e jo më të mbronin institucionet. Ushtrisë sonë duhej ti vinte në ndihmë NATO për ta mbrojtur nga serbët të cilët serbes serbes mbollën rajonet kufitare verilindore me mina anti njeri që ende sot vrasin njerëz. Për mos të folur pastaj për idealet patriotike të ushtarakëve tanë kur dihet që numëroheshin me gishta oficerët që guxuan e shkuan të luftonin për flamur në Kosovë. Ushtria shqiptare nuk mundi dot as të ndihmonte vitin e kaluar emigrantët e shkretë që ngrinë vetëm pak milje nga bregu.

Deri tani ushtria është përdorur me një farë efikasiteti vetëm për gjëra që nuk janë detyra të saja. Së pari për të mbrojtur ndërtesa publike apo rrugët kur këtë gjë i takon ta bëj policia e rendit publik. Së dyti kur ushtarët e xhenios janë vënë në punë të detyrueshme të papaguar, të cilën ligji e quan skllavëri, për ndërtime të rrugëve në një kohë jo-emergjence. Kështu për kapriço të qeveritarëve ushtarët janë detyruar të punojnë në rrugën e bregdetit dhe të Kosovës ndërkohë që qytetarët e sidomos shoferët, tashmë kanë paguar boll taksa për ndërtimin e tyre me kompani civile e jo nga bijtë e tyre. Së treti për publicitet. Kjo ka të bëjë me mënyrën si ushtria u përdor për maskaradën e paradës së 29 nëntorit të kaluar si dhe si mjet pazari diplomatik për të fituar përkrahjen e amerikanëve duke i dërguar në misione jashtë vendit.

Mirëpo edhe sikur të binim dakord që ushtria duhet të jetë e detyrueshme e jo mercenare, atëherë ky detyrim duhet të jetë i vlefshëm për të gjithë. Tek ne së pari bëhet diskriminimi gjinor pasi vetëm djemtë kanë si detyrim të thirren në ushtri. Ndërsa femrat, edhe pse sipas kushtetutës kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime ligjore me meshkujt, janë të kursyer nga ky kusur. Sistemi ynë i ushtrisë së detyruar diskriminon edhe njerëzit që për bindje politike ose besim fetar nuk duan të prekin armë me dorë. Dëshmitarët e Jehovait dhe pacifistët do të detyroheshin në kundërshtim me identitetin e tyre që të visheshin ushtarë. Ndryshe nga ç’ndodh në shumë vende, tek nuk këta njerëz nuk kanë mundësi që shërbimin ushtarak ta kryejnë në shërbimin civil. Një tjetër diskriminim pozitiv, është ai që bëhet ndaj personave të arsimuar të cilët favorizohen duke u detyruar qe të bëjnë një shërbim ushtarak më të lehtësuar. Pse u dashka që njerëzit më të arsimuar, të cilët zakonisht janë edhe më të suksesshmit në shoqërinë shqiptare, të privilegjohen edhe në lidhje me një detyrë të tillë para kombit. Edhe vetë procesi i rekrutimit në praktikë është diskriminues ose seleksionues. Kjo vjen ngaqë në disa krahina të Shqipërisë zyrat e rekrutimit janë më agresive në detyrimin e të rinjve për të bërë ushtrinë se sa në disa zona të tjera.

Gjithsesi nuk ka më indinjuese se diskriminimi i pasurisë që behet për ushtarët e thirrur duke rekrutuar vetëm djemtë që nuk kanë para të shlyejnë shërbimin. Për më tepër kjo gjë zbatohet nga partia socialiste e cila për nga vetë emri duhej që të kujdesej më shumë se për këdo tjetër, për këtë shtresë.

Këto fakte thërresin për një ndryshim radikal dhe të shpejtë të ushtrisë shqiptare. Dhe ky ndryshim duhet të vij fillimisht në rikonceptimin e ushtrisë dhe përdorimi i saj në mënyrë fisnike vetëm për detyra të larta siç edhe i takon. Nga ana tjetër duhet që ushtria shqiptare të shndërrohet në ushtri profesionale sa më shpejtë që të jetë e mundur për të ndërprerë diskriminimin e pandalur që është praktikuar në Shqipëri gjatë gjithë kësaj kohe.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top