Pse duhen kthyer menjëherë pronat e komuniteteve fetareë
Botuar tek gazeta Panorama
Â
Rishikimi i ligjit famëkeq 7501 rikthehu në qendër të vëmendjes çështjen e pronave të pakthyera. Për festën e Bajramit qeveria i dha komunitetit musliman një copëz tokë si për të rehatuar kërkesat e pandalura të këtij komuniteti për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Në fakt moskthimi ose të paktën moskompensimi i pronave të konfiskuara gjatë komunizmit është një ndër plagët më të mëdha të trashëguara nga regjimi komunist dhe një ndër padrejtësitë më të mprehta që përball shoqëria shqiptare sot. Kjo padrejtësi bëhet akoma më e rëndë kur në Shqipëri ka nisur ndërkohë një proces legalizimi i pronave pa leje që është në fakt një proces amnestie ndaj një veprimi të paligjshëm ndërkohë që ende nuk është bërë zbatimi i një veprimi të ligjshëm dhe të drejtë sikursë është rikthimi i pronësisë. Pra për kushtet dhe përmasat e informalitetit në Shqipëri, legalizimi është i pashmangshëm, por ky proces legalizimi duhet që gjithësesi të vij në rrang përparësie prapa procesit të kthimit të pronave pasi përpara se të bëhet një favor apo lëshim sikurse është amnistia duhet të ndërpritet dhe kompensohet fillimisht një padrejtësi.
Ndërkohë që kur bëhet fjalë për procesin e kthimit apo kompensimit të pronave pronave edhe këtu mund të thuhet se ka vend për përparësi pasi duke njohur kontekstin dhe implikimet mund të thuhet se në plan të parë duhet të jetë kthimi i pronave të paluajtshme i komuniteteve fetare. Komunitetet fetare janë dhe në mënyrë të veçantë institucionet dhe kleri i tyre, janë mbase viktimat më të mëdha të regjimit komunist shqiptar e për rrjedhojë martirizimi i tyre e bën më të nevojshme një dëmshpërblim më të shpejtë dhe efikas ndaj tyre. Përpos kësaj ajo që është akoma me më shumë rëndësi, është fakti që kthimi i pronave ndaj komuniteteve fetare do t’i konsolidonte këto komunitete funksionalisht dhe do të garantonte autonominë e tyre ndaj ndikimeve të huaja. Prandaj edhe dhënia e asaj tokës ndaj komunitetit musliman nuk duhet të ngelet një ndodhi e shkëputur dhe sporadike por të shtohet në përmasa dhe të shtrihet edhe tek komunitetet e tjera fetare.
Normalisht veprimtaria e komuniteteve fetare duhej të bëhej e mundur ose nga kontributet e besimtarëve ose nga puna apo angazhimi vullnetar i besimtarëve ose nga përdorimi i aseteve apo pronave të këtyre komuniteteve. Ka raste ku edhe qeveria financon komunitetet fetare. Në kushtet e Shqipërisë, komunitetet fetare janë shkatërruar në një mënyrë të paprecedent duke qenë se kemi qenë i vetmi vend zyrtarisht ateist në botë. Jo vetëm që është ndërprerë mënyrë të kobshme vazhdueshmëria e institucioneve fetare, zhdukur kleri e masakruar besimtarët e palëkundur por është dëmtuar rëndë edhe tradita. Dhe dëmtimi që u përvijua në më shumë se tre dekada rresht e ka bërë shumë të vështirë ringjalljen e traditës fetare në vendin tonë. Në kushtet kur shoqëria shqiptare ka një moshë mesatare diku tek 29 vjeç, trashëgimi i vetëdijes fetare dhe zakoneve e ritualeve është jashtëzakonisht e vështirë. Për këtë arsye edhe komunitetet fetare do e kishin pasur pothuaj të pamundur ringjalljen po qe se do të mbështeteshin vetëm tek mundësitë brenda Shqipërisë. Fatmirësisht ndihmë të madhe dhanë diaspora dhe trojet shqiptare të ish Jugosllavisë por gjithësesi shumica e ndihmës erdhi nga komunitetet fetare të vendeve të huaja. Mirëpo nga një ndihmë në kushtet e emergjencës që doli në pah fill pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ajo që vihet re në vendin tonë është një varësi e pandërprerë ndaj ndihmës së huaj dhe motivi kryesor i kësaj vazhdimësie është padyshim ndihma financiare dhe jo thjesht liturgjike apo teknike. Nëse këtyre komuniteteve do t’ju ktheheshin pronat padyshim që nevojat për të siguruar financime nga jashtë do të minimizoheshin.
Madje duke patur parasysh varfërinë e theksuar të shqiptarëve jo vetëm që nuk kemi sponsorizim financiar të institucioneve fetare nga besimtarët, siç edhe i takon, por kemi shpesh individë të varfër që përfshihen në veprimtaritë e komuniteteve fetare për të siguruar ndihma ekonomike dhe mundësi të ndryshme përfitimi material personal. Njihet mirë në Shqipëri prirja për t’u konvertuar në të krishterë ortodoks duke u pagëzuar dhe ndryshuar emrin vetëm e vetëm për të marrë viza apo dokumenta qëndrimi për të emigruar në Greqi. Po kështu janë të shumtë individët e tjerë që hiqen muslimanë apo katolikë të zellshëm vetëm e vetëm për të siguruar ndihma materiale apo përfitime të tjera personale si përshembull mundësi për t’u kuruar jashtë vendit.
Por problemi kryesor nuk është shndërrimi i traditës fetare nga vokacion i kulluar në oportunizëm material duke prodhuar një perversitet apo kultivuar një fallsitet në shoqërinë shqiptare. Problemi kryesor është politik pasi kjo varësi financiare e komuniteteve fetare shqiptare sjell në mënyrë të pashmangshme një ndikim të theksuar politik të vendeve të huaja tek këto komunitete tona. Historikisht misionet fetare në vend të huaj janë pëdorur si instrumente për të infiltruar e kamufluar çështje politike, spiunazh, difuzion kulturor e diplomaci publike apo për të siguruar mbështetje për një qëndrim politik të vendeve dërguese. Kuptohet që po qe se komunitetet fetare do kishin një qëndrueshmëri financiare vendase do ishin shumë më tepër autonom dhe shumë më pak të prirur për t’ju nënshtruar apo përshtatur ndikimit të vendeve nga vijnë ndihmat.
Po të analizohet vendet e origjinës së ndihmës që iu vjen komuniteteve fetare në Shqipëri gjenden shume arsye për të patur dyshime apo rezerva pavarsisht se kjo gjë mund të tingëllojë shumë komplotiste apo konspirative. Kështu për shembull në vendin tonë tradita muslimane shqiptare e trashëguar nga një e kaluar e ndritur e organizimit të mileteve tolerante të perandorisë së dikurshme otomane po rivalizohet në vendin tonë nga futja e një tradite të re arabe që ka ardhur bashkë me ndihmat bujare që vijnë nga monarkitë arabe. Varësia politike e kishës autoqefale ortodokse shqiptare nga Greqia është një çështje që ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së publikut në Shqipëri. Kjo çështje ende ngelet ndezur përderisa kleri i lartë ortodoks në Shqipëri ngelet me kombësi e shtetësi grek pavarësisht se kanë kaluar 17 vite nga ribërja e ligjshme e ushtrimit të fesë në vendin tonë, kohë e mjaftueshmë për të përgatitur klerikë të përshtatshëm vendas. Për kishën katolike është thelbësore dhe për pasojë më se e kuptueshme varësia e drejtëpërdrejtë nga Papati por është e pakuptueshme pse shumica dërrmuese e klerit katolik në Shqipëri është italian ndërkohë që mund të ishin fare mirë me prejardhje nga Evropa Qendrore apo nga vendet e tjera latine. Për më tepër, pamundësia apo mangësia financiare e komuniteteve fetare tradicionale shqiptare ka bërë që në vendin tonë të fitojnë terren shumë të gjerë sekte të ndryshe fetare të reja. Këto sekte kanë një avantazh të krahasuar buxhetet e majme që zotërojnë por shpesh mund të bëhet fjalë për sekte që në vendet e tjera janë të ndaluara për rrezikshmërinë e doktrinës që predikojnë.
Me pak fjalë arsyet që duhet të çojnë qeverinë që të kthejë sa më shpejt pronat e komuniteteve fetare janë shumë domethënëse. Së pari është ai moral, komunitetet fetare kanë qenë viktimat më të dëmtuara nga regjimi komunist e për këtë arsye duhet bërë sa më shpejt shpagimi apo dëmshpërblimi në formën e kthimit të pronave. Së dyti angazhimi fetar përbën një ndër shtyllat e shoqërisë civile në çdo vend të përparuar porse varësia e madhe nga donacionet e huaja është duke e kalbur sinqeritetin që duhet të mbizotërojë në këto komunitete. Së fundmi varësia e madhe ndaj ndihmave të huaja i detyron këto komunitete që të gëlltisin edhe axhendën politike që shpesh vjen si kusht me këtë ndihmë e për rrjedhojë të vënë në pikëpyetje përshtatshmërinë e veprimtarisë së këtyre komuniteteve me kulturën dhe kontekstin shqiptar si dhe besnikërinë e tyre ndaj shtetit shqiptar dhe ccështjes kombëtare. Kthimi i shpejtë i pronave të komuniteteve fetare në Shqipëri do të evitonte majisjen e mëtejshme të këtij problemi dhe do të sillte një kthesë në këtë situatë duke iu garantuar një qendrueshmëri ekonomike komuniteteve fetare që do të përkthehej në më shumë autonomi e dinjitet.
Â
Â
Â