Poshte Objektiviteti, rrofte subjektiviteti

Poshte Objektiviteti, rrofte subjektiviteti

Poshte Objektiviteti, rrofte subjektiviteti

Botuar tek gazeta Standard

Edhe pse i vogël vendi ynë, gumëzhin nga një mori e jashtëzakonshme mediash, qofshin elektronike qoftë të shtypur. Roli i përgjithshëm i mediave në një vend është i pazëvendësueshëm dhe jashtëzakonisht i çmuar. Mirëpo, pavarësisht nga larmia e rrallë e këtyre institucioneve mediatike tek opinioni publik (qoftë ky elitar apo popullor) është ngulitur një këndvështrim i ngurtë në lidhje me rolin e mediave, nga ato pritet objektivitet.

Në të vërtetë është për të ardhur keq që ende 15 vite pas rënies së komunizmit, profesionet shikohen si grupime monolite klasore. Kështu është gdhendur në diskutimin publik fjala klasë politike, sikur politikanët të ishin të bashkuar, solidar me një qëndrim. I njëjti këndvështrim aplikohet kur flitet për shoqërinë civile, nga e cila pritet që të jetë e bashkuar me një rolë të vetëm të caktuar dhe prej saj pritet që të jetë gjithmonë në opozitë. Pra aplikohet në një farë mënyre modeli marksist i klasave sociale të cilat shikohen si grupe të konsoliduara që veprojnë si trup i vetëm, dhe injorohen fare modelet sociologjike të pluralizmit apo elitave.

Pra në të njëjtën mënyrë pretendohet që edhe mediat të jenë si bllok i vetëm duke respektuar parime apo vlera të caktuara, mes të cilave spikat objektiviteti. Pra merret si premisë objektiviteti, pa u shtruar pyetja nëse objektiviteti në vetvete është i dobishëm apo i arritshëm. Kështu shpesh një gazetë quhet nga disa të djathtë e majtë sepse nuk iu pëlqen diçka dhe po kështu një gazetë mund të quhet e djathtë prej disa të tjerëve. Dhe të gjithë akuzojnë këto gazeta sikur nuk kanë përmbushur “standardet” të cilat s’janë gjë tjetër veçse disa imperativë moralë që kanë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Por me thënë të drejtën nuk është dhe aq keq që një gazetë ka një qëndrim të caktuar, po ashtu sikurse një parti apo një shoqatë ka një qëndrim të caktuar, dhe roli i medias të realizohet nëpërmjet të gazetave të ndryshme me qëndrime të ndryshme.

Rendja ndaj një objektiviteti imagjinar është një fallcitet ose utopi dhe për të kuptuar sa i vërtetë është ky kuptim, mjafton të shikohet se si funksionon media në shtypin e vendit më traditë më të gjatë të demokracisë dhe të shtypit në botë, Britaninë. Në këtë vend qëndrimet ose anësitë e gazetave janë boll të qarta për të gjithë, dhe pluraliteti i gazetave që veçmas kanë një qëndrim e bën këtë vend një ndër vendet me mediat më të shëndetshme në botë. Kështu mes britanikëve qarkullon si anekdotë se The Times është një gazetë që lexohet nga ata që drejtojnë vendin, The Financial Times një gazetë që lexohet nga ata që e zotërojnë, The Guardian (gazetë qartazi e majtë) lexohet nga ata që mendojnë se duhet të ishin drejtuesit e vendit, The Telegrahp (e djathtë) lexohet nga ata që mendojnë se vendi duhet të drejtohet si më parë. Bëjnë pjesë edhe tabloidët por këto gazeta janë të dhëna pas skandaleve dhe zbavitjeve.

Kur flitet për shtypin, shpesh ekzagjerohet me efektin ndikues të mediave ndaj lexuesit apo shikuesit, dhe harrohet fare ndikimi i konsumatorëve tek përmbajtja e lajmeve. Kështu psh një ndër mediat që më shumë po merret nëpër gojë sot është Al Jazeera. Shumë e konsiderojnë atë si media anti-amerikane sepse në një betejë në Irak ajo përqendrohet tek humbjet njerëzore, dhe jo tek dobia që ka për Irakun lufta kundër terrorizmin siç do të bënte në fakt Fox News. Prandaj në perëndim janë shumë ata që e akuzojnë këtë televizion si subjektiv. Mirëpo ajo që harrohet në këtë konsideratë, është fakti që ky televizion ka një target të caktuar, dhe ajo është bota arabe. Prandaj edhe lajmet përshtaten duke patur parasysh këtë grupim, shqetësimin dhe interesat e këtij grupimi. Kjo nuk është gjë e keqe, pasi të njëjtat gjëra bëjnë edhe mediat perëndimore. Kështu psh. në rastin e një fatkeqësie natyrore një televizion italian pikësëpari interesohet për të vdekurit apo të mbijetuarit italian, e pastaj vret mendjen e raporton për të vdekurit e kombësive të tjera. Me të drejtë të njëjtën gjë do të bënte edhe shtypi shqiptar apo i kujtdo kombësie tjetër fundja. A nuk u vu Iraku në qendër të vëmendjes sonë vetëm kur një ushtar shqiptaro amerikan ra në betejëë Atëherë pse duhet të quhet anti-amerikane Al Jazeera, kur në fakt disa vende arabe e censurojnë këtë televizion duke e quajtur qëndrimin pro-demokratik të këtij kanali si pro amerikane apo pro-perëndimoreë

Postmodernistët do të thoshin se nuk ka diçka objektive në përgjithësi. Por shumica e sociologëve thonë se të paktën tek sjellja e njerëzve nuk ka diçka objektive. Objektiviteti nuk është një objektiv i mundshëm i sjelljes njerëzore dhe rrjedhimisht gazetaria si një veprimtari njerëzore nuk mund të arrijë dot objektivitetin. Për sa kohë janë njerëzit ata që mbledhin, formulojnë dhe përhapin lajmin atëherë subjektiviteti do të jetë rregulli e jo përjashtimi. Në fakt të pyeten 20 veta të ndryshëm për këtë term kanë për të thënë gjera të ndryshme. Pra duket qartë se objektiviteti i medias është një gjë kaq subjektive. Kjo është arsyeja pse në vitin 1996 Shoqata Amerikane e Gazetarëve Profesionistë i dha fund manisë për objektivitet duke e hequr këtë term nga kodi i tyre i etikës.

Por në Shqipëri mania për objektivitet ka shkaktuar jo vetëm një percepsion të gabuar për mediat, por edhe praktikën e përditshme e iluzionit se nëse e njëjta media paraqet të dy palët atëherë është arritur objektiviteti. E kam fjalën për hamendësimin se diçka mund të jetë bipolare, ose e vërtetë ose e gënjeshtërt, dmth. për një çështje merret mendimi i një demokrati dhe më pas i një socialisti, dhe kështu gazetari aludohet se po arrin objektivitetin. Gazetari hamendëson nëpërmjet këtij modeli se secila palë po thotë të vërteta të pjesshme dhe se e “vërteta” gjendet diku midis. Kjo është influencuar nga dikotomia politike shqiptare por edhe nga një të pari të botës bardhë e zi. Kjo vjen nga bindja se çdo histori ka dy faqe dhe prandaj gazetari duhet të gërmojë tek faqja tjetër, tek ana tjetër e monedhës, tek pjesa e errët e hënës, për të zbuluar të vërtetën. Por së pari e vërteta mund të jetë me ngjyrë të veçantë. Dhe së dyti kjo përpjekje krijon bindjen e gabuar se çdo gjë ka një anë të errët të dytë, apo një “tjetër histori”, e për rrjedhojë të bëj që njerëzit të vënë në dyshim çdo fakt që ekziston, edhe pse shumë syresh janë shumë të qarta.

Pra tek ne mbizotëron një pandehmë se bota është bipolare, ndërkohë që bota nuk është bardhë e zi dhe mund të ketë nuanca apo pozicione të tjera që e bëjnë këtë paradigmë të pavlefshme. Si pasojë e supremacisë së kësaj paradigme tek ne gazetarët mjaftohen duke pyetur dy palë, dhe lënë pyetje të papërgjigjura, këndvështrime të pasfiduara dhe ia lënë në dorë lexuesve apo shikuesve që të vrasë mendjen se cili këndvështrim, grup faktesh apo hamëndësimesh është korrekt. Pra gazetari në këtë mënyrë nuk analizon apo zhbiron dhe në këtë mënyrë i lë stafetën e gazetarisë publikut.

Duket qartë pra se objektiviteti nuk ekziston dhe mbetet iluzion. Pra le të themi rroftë subjektiviteti, dhe të kërkojmë prej mediave jo medoemos objektivitet, por konkurrencë, ndershmëri, respekt, efikasitet, profesionalistet dhe kurajë për të qenë subjektiv e për të mbajtur qëndrim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top