Për liberalizimin e universiteteve private
Botuar tek gazeta Tirana Observer
Â
Gjatë këtij viti shkollat e larta kanë pushtuar debatin publik si rrallë herë. Ajo që ka kontribuar në këtë përqendrim të vëmendjes ndaj arsimit universitar nuk ka qenë thjesht fakti sivjet po aplikohet sistemi i provimit të maturës dhe se është viti i dytë i rritjes masive të numrit të studentëve që pranohen në universitete, por sepse është trefishuar numri i universiteteve private dhe bashkë me to është ngritur një valë e tërë diskutimesh. Gjatë këtij viti qeveria e re, ndryshe nga qeveria e mëparshme, ka treguar angazhim për të lënë më shumë hapësirë për iniciativën private në arsim duke i dhënë licencën disa universiteteve të reja private dhe disa degëve të universiteteve private ekzistuese.
Mirëpo hapja e universiteteve private nuk është shoqëruar fatkeqësisht me një ndryshim të mentalitetit publik lidhur me to. Ajo që të çudit në mënyrë të veçantë është se shumë individë publik që konsiderohen pjesë të elitës intelektuale deklarohen rreptësishtë kundër këtyre universiteteve duke shprehur paragjykime dhe përçmime shumë të prapambetura. Së pari këto paragjykime kanë të bëjnë me faktin që këto universitete janë fitimprurëse me bindjen se fitimi dhe cilësia nuk shkojnë bashkë. Një përshtypje e tillë marksiste besoj se duhej të ishte një specie në zhdukje e sipër tani që kanë kaluar pesëmbëdhjetë vite që shijojmë frytet e sipërmarrjes së lirë. Këto paragjykime shtrihen edhe tek aspekte të tjera si pedagogët, ambientet, programet e tjera, dhe se gjasme studentët e universiteteve private nuk parapëlqehen nga tregu i punës. Ky paragjykim i fundit është padyshim i pabazë për sa kohë ende nuk ka dalë brezi i parë i studentëve të diplomuar në universitete private, duke qenë se kohorta e parë e studentëve të universiteteve jopublike është ajo e universitetit të New York-ut, të cilët e marrin diplomën në datën 8 korrik të këtij viti. Dhe do të duheshin të paktën disa breza të diplomuarish që të kuptohej me të vërtetë nëse të diplomuarit e këtyre universiteteve janë mjaftueshëm konkurrues në tregun e punës.
Megjithatë paragjykimi më qesharak është ai që i shikon këto universitete si abuzive dhe kërkojnë nga shteti që të vendosë kritere jashtëzakonisht të vështira për të lejuar hapjen e universiteteve të tjera. Së pari nëse këto kritere të hapjes së shkollave të larta private do të vështirësoheshin, në fakt ato do të dëmtonin tregun ekzistues duke eliminuar konkurrencën. Në të vërtetë lehtësia për të hapur universitete të reja private në të vërtetë ndikon në rritjen e konkurrencës pasi universitetet private ekzistuese do të ishin nën presion nga aktorë të tjerë ekonomik që do mund të futeshin në treg po qe se konsumatorët do të ishin të pakënaqur nga universitetet ekzistuese. Po qe se nuk është e lehtë të hapen universitete të reja padyshim që universitete private ekzistuese do të ishin më të rehatuara, presioni do të ikte, dhe do kishin pak arsye për të investuar më shumë në rritjen e cilësisë së arsimit që ata japin.
Por kjo çështja e vështirësimit të kritereve që në fakt lidhet edhe me procedurat e komplikuara dhe të vështira të akreditimit, ka dy probleme të tjera.
Problemi i parë është ai i cilësisë, pse u dashka që shteti shqiptar të vendosi një seri kriteresh cilësore për të lejuar hapjen e universiteteve të reja private apo për të akredituar ato universitete ekzistuese. Kjo gjë nuk aplikohet në asnjë sektor tjetër të shërbimeve apo prodhimit kur bëhet fjalë për iniciativën private. Kështu leja për një hotel jepet automatikisht pavarësisht nëse ky hotel parashikon të jetë një hotel me tre a më shumë yje, ose thjesht një hostel ose pension për buxhetet më modeste. Po kështu një kompanie pijesh i jepet licenca pa e vrarë mendjen nëse kantina në fjalë prodhon verë disavjeçare cilësore apo një verë gjysmë uthull që shitet për dy lekë. Rëndësi për shtetin ka që kjo verë të mos vrasë njeri nga alkooli metilik që dikush mund të vendos apo që mos të zërë ndonjë sëmundje infektive ndonjë turist që shkon në hotel. Pra shtetit i takon të vendosë ato garanci që janë të domosdoshme por që nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen cilësore të nismave private. Kështu është normale që shteti të kërkojë si kriter një inspektim të arritur të instancave që merren me shqyrtimin higjenik të ambienteve, por nuk ka ndonjë arsye të caktuar për të pretenduar ndonjë cilësi nga shkollat e larta.
Kështu në vendet ku arsimi i lartë privat është boll i përhapur si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, mund të gjenden shkolla private shumë cilësore si Harvard, Yale, Stanford e Princeton tarifat e të cilave kushtojnë mbi tridhjetë mijë dollarë në vit, sikurse ka shkolla private të larta anonime që kushtojnë dy-tre mijë dollarë në vit. Njësoj pra sikurse ka lokale të ushqimit të shpejtë ku mund të mbushte lehtë barku me dy tre mijë lekë, dhe restorante ekskluzive ku vaktet kushtojnë sa dy tre rroga mujore të arsimtarëve të ciklit të ulët. Dhe kjo logjikë aplikohet edhe tek universitetet publike ku ka Universitete publike si University of Pennsylvania dhe University of Berkeley që janë publike por që kjo gjë nuk i ka penguar të vendosin tarifa të njëjta me universitete e shtrenjta të sipërpërmendura. Pra cilësia i nënshtrohet mekanizmit kërkesë ofertë e cila cakton edhe çmimin për ndjekjen e shkollave jopublike.
Por edhe sikur të themi se duhet një minimum dyshemeje apo pragu cilësie për të lejuar hapjen e shkollave të larta private, është e vështirë për të përcaktuar këtë prag. Sepse po t’i teket burokratëve apo teknokratëve që marrin pjesë në grupet e punës apo institucionet që hartojnë legjislacionin dhe procedurat ose që shqyrtojnë aplikimet për licencat, ata mund të vendosen kritere në mënyrë absurde të larta që askush nuk do mund t’i kapërcente. Kështu ata mund të përdorin si referencë po themi karakteristikat e Universitetit të Cambridge apo Oxford-it për të vendosur kriteret që duhen plotësuar nga ata që duan të hapin një shkollë të lartë private ose për të marrë akreditimin nga institucioni shtetëror që merret me akreditimin. Mirëpo dihet që karakteristikat e këtyre dy universiteteve prestigjioze, mund t’i kapërcejnë vetëm disa dhjetëra universitete në mbarë botën, e jo më te pretendojmë të kemi universitete të ngjashme me to në Shqipëri. Pra përveçse lind natyrshëm pikëpyetja për rolin e shtetit në caktimin e një cilësie, lindin natyrshëm paqartësi të tipit kush i cakton këto kritere të licencimit dhe akreditimit si dhe mbi ç’baza janë ndërtuar kriteret në fjalë.
Lidhur me referencën që merret në konsideratë në procesin e licencimit dhe akreditimit del problemi i dytë. Me ç’të drejtë morale shteti shqiptar vendos kritere cilësore për të hapur universitete private ose për të akredituar universitete private që janë shumë më të vështira apo rigoroze se ato që aplikohen për universitetet publike. Me fjalë të tjera, për sa kohë shteti shqiptarë ka hapur dhe mban hapur universitete periferike me cilësi shumë të ulët si universiteti i Korçës, Gjirokastrës, Vlorës etj. përse duhet që shteti të diskriminojë në mënyrë të thellë aktorët privat duke i vendosur kritere që janë shumë herë më rigoroze se ato që janë aplikuar për këto universitete dytësore publike. Pra nga njëra anë shteti e dëmton universitetin privat duke mos marrë asnjë tarifë nga studentët që shkojnë në universitete publike, dhe së dyti duke aplikuar për universitetet private rregulla shumë herë më të rrepta se ato që aplikohen për universitete publike.
Â