Për ca dollarë më shum

Për ca dollarë më shum

Për ca dollarë më shumë
Botuar tek gazeta Standard
Në debatin mbi rolin e shtetit në shoqëri ka shumë role jo dhe aq të nevojshëm për të cilat njerëzit mund të binden se mund të hiqen nga kompetenca e shtetit. Por ndërsa shteti mund të shkurtohet në shumë aspekte, është një roli specifik, ai i ruajtjes së rendit, për të cilin ka një konsensus gjithëpërfshirës që këtë rol duhet ta përmbushë shteti. Mirëpo tregu ka dëshmuar se ka gjasa që të konkurrojë edhe këtë shtyllë të konsoliduar të shtetit. Nuk bëhet fjalë thjesht për policinë private apo detektivët privatë por për futjen e nismës private në kompetencat e policisë.
Janë të ashtuquajturit “gjuetarët e shpërblimit” (bounty hunters) ata që përdoren me shumë efikasitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një bounty hunter sië i thonë anglisht apo cacciatore di taglia në italisht, është një individ i cili gjurmon (gjuan) një të arratisur apo të kërkuar I joshur nga një shpërblim i vënë për këtë të kërkuar. Po si funksionojnë këtaë More...
Sistemi i lirimit me kusht në Amerikë shpesh përdor aktorët privat dhe stimujt materialë për të arritur objektiva të rëndësishëm për publikun, duke përdorur minimumin e kostos për taksapaguesin. Agjentët e lirimit me kusht, iu ofrojnë të pandehurve shuma parash borxh që këta të fundit ti vendosin si peng për tu gjykuar në liri. Kur gjyqi mbaron këta agjentë marrin një përqindje të majme të shumës që ata kanë dhënë borxh. Mirëpo nëse të pandehurit nuk ktheheshin në gjyq atëherë këta agjentë humbasin gjithë shumën e vendosur si kusht prandaj këta agjentë kanë shumë interes e motiv që të bëjnë të mundur që të pandehurit të kthehen në gjyq e mos të arratisen. Këta agjentë përdorin shumë metoda për të siguruar që të pandehurit të kthehen në gjyq. Marrin firma të familjarëve si dorëzanë, marrin si garanci prona ose, sië ndodh më shpesh, përdorin gjuetarët e  shpërblimeve. Këta janë persona privatë , kryesisht investigatorë privat, të cilët punojnë dhe kërkojnë të arratisurit dhe paguhen me një pjesë të parasë të vendosur si kusht tek gjykata. Po ashtu si edhe agjentët, një gjuetar shpërblimesh ka një motivim të fuqishëm për të patur sukses, sepse po mos të kapet dhe të kthehet i pandehuri nuk fitohet gjë.
Me këto motivime, sistemi funksionon shumë mirë, pa asnjë shpenzim për taksapaguesit, dhe me një efikasitet shumë më të madh se ai i sistemit publik të lëshimit me kusht. Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, vetëm 15% e të pandehurve, që janë përfshirë në sistemin e lirimit me kusht duke përdorur para të marra peng nga agjentët privatë, nuk dalin në gjyq. Ndërkohë që  nuk janë paraqitur në gjyq mbi 26 % e atyre që janë gjykuar në gjendje të lirë duke dhënë fjalën se do të ktheheshin si dhe rreth 42% e atyre që janë gjykuar me para peng personale.
Ky sistem ka një efikasitet kapje më të lartë sesa ai i policisë. Policët zor se kanë ndonjë stimul të fuqishëm për të zënë të kërkuarit, pasi rrogën e marrin njësoj. Ndërkohë “gjuetarët e shpërblimeve” janë të joshur nga shpërblimi i majmë dhe të trembur nga mundimi i kotë nëse nuk arrijnë ta kapin individin e  kërkuar. Prandaj gjuetarët detyrohen që të sajojnë gjithfarë taktikash dhe të japin maksimumin e mundit për të gjetur të kërkuarin.
Në SHBA këta gjuetarë kanë shumë pak kufizime në bërjen e punës së tyre. Kështu ata mund të hyjnë në një ndërtesë private, të kërkojnë, si dhe të përdorin një masë të arsyeshme force për të kapur të kërkuarin pa patur nevojën e lejes nga prokuroria gjë që i lejon më shumë hapësirë.  Kështu nëpërmjet një sistemi të tregut të lirë, kostot e kapjes së të kërkuarve nuk mbarten nga publiku dhe realizohet një shërbim publik me një efikasitet të lartë.  Shtete të ndryshme aplikojnë kushte apo kufizime të ndryshme për veprimtarinë e “gjuetarëve të shpërblimeve” por me përjashtim të Kentakit, agjentët mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre kudo. Këta agjentë zënë në SHBA rreth 30000 të arratisur nga gjyqet në vit. Kështu jo vetëm që shpërblimin për kapjen e paguajnë persona privatë, por kursehet edhe peripecia dhe kostoja e operacioneve policore që do të duhej të organizoheshin për të shtënë në dorë mbi 30000 vetë.
Një tjetër aspekt pozitiv i këtij sistemi është respektimi i të drejtave të njeriut. “Gjuetarëve të shpërblimeve” iu duhet që të përdorin maksimumin e kujdesit dhe parapërgatitjes në mënyrë që kur të ekzekutojnë arrestimin të mos cenojnë të drejtat e individit. Ndryshe nga policia shtetërore e cila ka një lloj imuniteti ligjor lidhur me aplikimin e dhunës, gjuetarët e shpërblimeve duhet që të shmangin ëdo akuzë të mundshme për shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e të pandehurve të arratisur. Këta të fundit mund t’i hedhin në gjyq gjuetarët e shpërblimeve nëse dëmtohen fizikisht ndërkohë që policët shtetërorë mund të justifikohen duke thënë se e kanë ushtruar dhunën si mbrojtje të ligjshme vetjake. Kuptohet që policët nuk kanë motivimin e gjuetarëve të shpërblimeve për ta mbajtur të gjallë të pandehurin prandaj kur bëhet fjalë për të arratisur shumë të rrezikshëm policët kanë një prirje ta tërheqin më lehtë këmbëzën e armëve të zjarrit.
Pra ky sistem jo vetëm që është efikas, është pa kosto për taksapaguesit, por është edhe më cilësor në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut. Gjuetarët e shpërblimeve përdoren në SHBA me shumë efikasitet edhe kur shpërblimin për një person e vendos shteti, dhe jo agjencia private e lirimit me kusht. Parimi i futjes së tregut në lojë dhe të motivimit material privat për të arritur efikasitet sië bëhet nëpërmjet gjuetarëve të shpërblimeve aplikohet jo vetëm në sistemin e drejtësisë për të arratisurit apo për të kërkuarit e rrezikshëm të policisë por edhe për të ngritur sisteme informatorësh që janë shumë të nevojshëm apo për të luftuar ndotjen ambientale duke paguar ata që dorëzojnë mbeturina shumë toksike, ose për të luftuar armëmbajtjen pa leje duke paguar këdo që dorëzon një armë. Edhe në Shqipëri copëza të këtyre parimeve kanë dëshmuar për maksimumin e efikasitetit, sië është rasti i dhënies së shpërblimit për informatorët që dhanë informacionet që bënë të mundur kapjen e të burgosurve të arratisur nga burgu i Lezhës apo kapjen e të famshmit Ferdinand Durda.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top