Ligjet e tregut si ligjet më efikase kundër diskriminimit

Ligjet e tregut si ligjet më efikase kundër diskriminimit

Ligjet e tregut si ligjet më efikase kundër diskriminimit
Botuar tek gazeta Standard
Një ndër paragjykimet kryesore që ekzistojnë për tregun e lirë përkon çuditërisht edhe me një ndër karakteristikat më superiore të tij, bëhet fjalë për diskriminimin. Kështu antiglobalistët thonë se në kushtet e tregut të lirë, popujt e varfër diskriminohen nga vendet e mëdha e të pasura, se i pasuri diskriminon të varfrin. Duke qenë se shpesh varfëria përkon në ekonomi me minoritetet racore, fetare, politike etj atëherë sipas marksistëve  i bie që kapitalistët që besojnë në tregun e lirë janë edhe diskriminuesit më të mëdhenj. Me të njëjtën logjikë komunistët shpesh lidhnin imperializmin, orientalizmin apo anti-semitizmin me sistemin ekonomik të liberalizmit.      More...
Mirëpo mjafton që të shqyrtosh me pakëz vëmendje dhe hollësi mekanizmin bazik të funksionimit të tregut ekonomik që të kuptosh se gjithë logjikimi i përmendur në paragrafin e parë është i rremë. E kundërta është e vërtetë. Në kushtet e tregut të lirë një individ vepron duke patur parasysh maksimizimin e funksionit të tij utilitar, që do të thotë në fjalë të tjera që individi do të përfitojë mallin apo shërbimin më të mirë dhe më të lirë. Po qe se ai do paragjykonte një produkt në bazë të një preference të tij ai do të paguante gjithashtu si të thuash një “gjobë” për këtë çështje. Kështu nëse një i bardhë do të bojkotonte një dyqan me shitës me ngjyrë, atëherë ky i bardhë do të ngushtonte shumë numrin e alternativave që ai ka në dispozicion për të zgjedhur. Dhe të gjithë e dinë se sa më pak alternativa aq më pak ka konkurrencë. Porse mungesa e kufizimi i konkurrencës përkthehet në minimizim të rolit që ka konkurrenca për të mirën e të gjithë individëve. Konkurrenca shërben si motivues i rritjes së cilësisë së shërbimit apo mallit si dhe i çmimit me të cilin këto të fundit ofrohen. Nuk është dashamirësia ajo që i shtyn prodhuesit e ndryshëm që të prodhojnë më lirë e më mirë, por konkurrenca. Me fjalë të tjera motivimi që vjen prej frikës nga falimentimi që mund të shkaktohet prej humbjes së klientëve, dhe joshja nga shpërblimi i fitimit që realizohet nga rritja e numrit të klientëve.
Kostoja e diskriminimit ka qenë më se e qartë për shumë njerëz që kanë qenë të në favor të eliminimit të diskriminimit racor në Amerikë, pa qenë detyrimisht kushedi se sa të ndjeshëm ndaj të drejtave të individëve. Një ndërtuesi të një shkolle apo ndërtimi tjetër publik i duhej që të përfshinte në mënyrë irracionale dy palë banjo si pasojë e segregacionit. Një kompani transporti duhej të përdorte dy palë autobusë për të njëjtën linjë. Për të njëjtën zonë komuna lokale në shtetet e jugore amerikane që kishin një segregacion të spikatur, duhej të kishte dy palë shkolla. E kështu me radhë çdo gjë që duhej ekstra si pasojë e segregimit mbarte kosto të rënda, një lloj haraçi që vinte si pasojë e diskriminimit.
E njëjta gjë shihet në çdo situatë kur paragjykimi vendoset si përparësi në veprimin e një individi. Kjo shihet edhe nga këndvështrimi tjetër, ai i shitësit. Nëse një shitës nuk pranon t’u shesë disa personave “Roma” atëherë ai heq dorë nga disa klientë dhe nga përfitimi që do të kishte marrë duke iu shitur edhe atyre mallrat apo shërbimet e veta. 
Diskriminimi ndëshkohet me kosto edhe kur nuk bëhet fjalë thjeshtë për shitje e blerje. Nëse dikush nuk do të punojë në një vend me njerëz me ngjyrë apo që i përkasin një komuniteti të caktuar, atëherë ky individ kufizon gamën e vendeve të punës që mund të marrë. Nëse një afendiko grek refuzon të pajtojë në punë një emigrant shqiptar, atëherë ai detyron veten që të paguajë një rrogë disa herë më të lartë sesa do ia kishte dhënë shqiptarit, për të njëjtën cilësi apo volum pune. Kur dikush nuk do të hipi në një autobus që ka brenda njerëz me ngjyrë atëherë atij i duhet të humbasë kohë të çmuar duke pritur një autobus tjetër ose të shpenzojë më shumë para për të marrë një taksi i vetëm.
Ky parim i kostove që mbarten nga diskriminimi është në një farë mënyre versioni mikro i mendimit ekonomik të merkantilizmit. Merkantilizmi thotë që një qeveri duhet të mbrojë ekonominë vendase (në rastin e diskriminimit për të cilin flitet më sipër zëre se bëhet fjalë për të mbrojtur e racës së bardhë “superiore” apo të sojit politik, fetar etj.) duke inkurajuar eksportet dhe dekurajuar importet nëpërmjet përdorimit të tarifave. Merkantilistët nuk arrijnë të kuptojnë idenë e avantazhit të krahasuar që vinte si përfitim i tregtisë dhe nuk e kuptonin se duke aplikuar një patriotizëm ekonomik ata dëmtonin ekonominë e vendit. Nëse do të ruanim priviligjimin e prodhimit vendas (pra privilegjimin e komunitetit të cilit i përkasim dhe përçmojmë e diskriminojmë komunitetet e tjera) me tarifa doganore, ne thjesht dëmtojmë konsumatorin, pasi eliminojmë mundësinë e konkurrencës. Ekzistenca e tarifave doganore u ka dhënë mundësi biznesmenëve të veçantë shqiptarë edhe sot që të formojnë kartele ose monopole të ndryshme që e rrënojnë konsumatorin. Si pasojë ne kemi një indeks shumë të lartë çmimesh në krahasim me vendet e tjera të rajonit, si dhe kemi një fuqi blerëse minimale.
Në librin e tij “Kapitalizmi dhe Liria”, Milton Friedman nxirrte gjithashtu në pah se një treg i lirë ndan efikasitetin ekonomik nga karakteristika të tjera të pavlefshme.  Blerësi i bukës nuk e di nëse buka është bërë me grurin e rritur nga një i bardhë apo zezak, nga një i krishterë apo hebre.  Për rrjedhojë, prodhuesi është në një pozitë që mund t’i përdorë burimet e tij sa më mirë që mundet, pavarësisht nga qëndrimi i komunitetit ndaj ngjyrës, fesë apo karakteristikave të tjera të njerëzve që ai punëson.  Një treg i lirë ndan veprimtarinë ekonomike nga pikëpamjet politike dhe mbron njerëzit nga diskriminimi që u bëhet në veprimtarinë e tyre ekonomik për arsye që janë të palidhura me produktivitetin e tyre, kur këto arsye janë të lidhura me pikëpamjet e tyre ose me ngjyrën e tyre. Kështu pra tregu siguron një nxitës ekonomik që ndan efektivitetin ekonomik nga karakteristikat e tjera të individit.  Friedman thekson se një tregtar apo sipërmarrës që shpreh në biznesin e tij preferenca që nuk lidhen me efektivitetin prodhues është në disavantazh me individët e tjerë që nuk e bëjnë këtë. 
Duket qartë pra që sistemi i ekonomisë së lirë është sistemi më efikas për të luftuar diskriminimin i bërë me baza racore, fetare, ekonomike, politike, gjinore apo çdo lloj baze tjetër. Bile ky sistem bën që ata që nuk e vrasin mendjen për ngjyrën, fenë apo çdolloj përkatësie tjetër, shpërblehen pasi mund të blejnë gjërat më lirë e më mirë. Kjo do të thotë që sistemi i kapitalizmit jo vetëm që nuk nxit diskriminimin, por nxit njerëzit që të heqin dorë nga dallimet përçmuese, të komunikojnë me të gjitha komunitetet, kulturat dhe përkatësitë, për të mirën e vetë.
Kjo gjë tregon që mënyra më e mirë për të siguruar respektimin apo mirëqenien e disa grupimeve apo minoriteteve të margjinalizuara në vendin tonë, do të ishte ngritja e nivelit të tregtisë së lirë.  Kundër diskriminimit ekzistojnë ligje të qarta që shtrëngohen nga qeveria duke u përpjekur që të ndëshkojë çdo manifestim të diskriminimit. Mirëpo ligjet e qeverisë nuk mund të zëvendësojnë motivimin ekonomik si “mbrojtës” të një anëtari të minoritetit, me forcën dhe frikën.  Mbrojtja e një anëtari të minoriteti me forcën e ligjit, kuotave apo diskriminimit pozitiv, as që mund të krahasohet  me mbrojtjen që një minoritet siguron nëpërmjet motivimit që jep tregu. Prandaj përpara se të bëhet diskriminimin pozitiv do të ishte më mirë të kontrollohej nëse tregut i është dhënë mjaftueshëm liri, e për rrjedhojë hapësirë e fuqi, për të siguruar eliminimin efikas të diskriminimit të komuniteteve të rrezikuara nga diskriminimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top