Asnjë në vendin e vetë
botuar tek gazeta Shqip
Një ndër kritikat që s‘resht së rrahuri si çekan në përgjithësi nga institucionet ndërkombëtare dhe në veçanti në progres raportin e ecurisë së procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, të nxjerrë nga Komisioni Europian, është dobësia dhe mosrespektimi i institucioneve. Nuk ka sesi të zhvillohet demokracia e këtij shteti, nëse nuk garantohet funksionimi i mirë i institucioneve konform detyrave dhe përgjegjësive ligjore që ata kanë, si dhe nëse nuk kultivohet një hapësirë pluraliste, ku aktorë kyçë të lirisë e demokracisë si mediat, shoqëria civile apo inteligjencia të jenë aktive në kryerjen e rolit të tyre. Mirëpo po të analizosh me vëmendje veprimtarinë e secilit prej këtyre aktorëve me rëndësi në jetën politike dhe publike shqiptare të zë trishtimi, sepse sheh një trazim të skajshëm të roleve të tyre. Madje e ke të vështirë të gjesh një aktor apo sektor të vetëm që të jetë duke luajtur siç duhet rolin që i takon në bazë të statusit që ka.
Po të shohësh qeverinë shqiptare skandalizohesh kur sheh se ajo nuk e ka për gjë që të mbrojë publikisht interesat e huaja, duke argumentuar me ngulm pse grekërve iu takonte aq shumë hapësirë ujore dhe pse ne shqiptarët edhe atë pak që morëm e kishim tepër, e prandaj duhet të heshtnim, me përulje e mirënjohje ndaj dashamirësve historikë grekë. Për të mos folur pastaj për etiketimin si ksenofob të atyre individëve që “na paskëshin pasur kurajën” të interesoheshin për integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, e vënë në dyshim respektimin e interesave kombëtare nga qeveritarët. Se helbete, sipas tyre, janë të papërfillshme rastet dëshmitare të kontratave që bëhen “plotësisht në përputhje” me interesat kombëtare tonat, siç është rasti i kontratës absurde monopoliste për koncesionin aeroportual që i është dhënë Hochtief, rasti i privatizimit të Telekomit për diku tek 120 milionë euro, ndërkohë që në Kosovë, një vend më i vogël dhe i varfër se yni, tenderi i privatizimit të simotrës PTK po nis me diku te 500 milionë euro; apo rasti i firmosjes së marrëveshjes së riatdhesimit të shtetasve të vendeve të treta në këmbim të asgjëje, që nuk e kishte firmosur asnjë vend europian me BE-në, dhe të vetmet vende që e kishin firmosur ishin Hong Kongu dhe Makao, të cilat në këmbim morën heqjen e vizave Shengen për shtetasit e tyre, si dhe Sri Lanka që mori mbështetje për luftën e saj civile. E kur flitet për qeverinë dhe ngatërrimin e roleve s‘ka se si të mos përmendet rasti i çuditshëm i oficerit të policisë, që u lidh me pranga poshtë kamionit, duke aplikuar taktikën më tipike që bëjnë zakonisht protestuesit.
Opozita refuzon të përdorë institucionet e preferon të sillet si lëvizje sindikaliste apo grup interesi, duke dalë në rrugë e shpërfillur Parlamentin. Në fakt, Parlamenti si institucion është normalisht më i dobishëm dhe i frytshëm për opozitën sesa për shumicën. Ai i shërben opozitës për ta mbajtur si instrument presioni dhe vënie para përgjegjësie, si mjet për të garantuar transparencë dhe mundësuar dëgjimin e zërit të saj. Shumicës nuk i hyn dhe aq në punë Parlamenti, se e ka tashmë në dorë ekzekutivin. E megjithatë opozita prapë parapëlqen që të mos e vërë në shfrytëzim hapësirën e veprimit politik që mundëson Parlamenti, por të përdorin të njëjtën hapësirë që mund të përdorë çfarëdo lloj aktori tjetër jopartiak, si mediat apo protestat.
Presidenca nuk është më pak në këtë lojë, për çështjet më therëse të jetës politike del me deklarata shtypi, me retorikë a pa kurrfarë aksioni. Institucioni i Presidencës, si të ishte një nga ato OJQ-të e viteve ‘90 del vetëm me deklarata, duke bërë thirrje, duke tërhequr vëmendjen, duke vënë para përgjegjësisë morale, duke u përpjekur që të vetëdijësojë publikun e ndërgjegjësojë vendimmarrësit. Shfrytëzon tryeza të llojllojshme jashtë-institucionale dhe jashtëshkollore për të hedhur kunja, duke përcjellë një mesazh që me zor lexohet mes rreshtave e pa folur troç, pa mbajtur qëndrime të paekuivokushme e aq më pak pa marrë veprime konkrete që janë nën autoritetin e tij. Rastet e tilla janë të larmishme, variojnë nga mosdekretimi i ligjit të lustracionit e mosprononcimin qartë kundër ose pro tij, duke e futur në picir gjithë opinionin publik që rrekej të kuptonte se “çka dashur të thoshte autori”, te rasti i Mero Bazes. Në këtë rast, Presidenti u mjaftua thjesht duke iu bashkuar njëzëri komunitetit të gazetarëve, duke e dënuar rëndë aktin barbar, por pa nxitur vënien në lëvizje të prokurorisë, shërbimit sekret apo gjyqësorit që i ka nën vete, për të përshpejtuar vënien para llogarisë të shkaktarëve. U desh që ata të dorëzoheshin vetë si pasojë e presionit publik.
E kur flitet për drejtësinë, në mendje të vjen prokuroria për të cilin shohim se imiton rolin e mediave, sepse në vend që të bëjë detyrën në mënyrë institucionale i konsumon çështjet hetimore në shtyp, nëpërmjet publikimeve apo rrjedhjeve të informacioneve në media, dekonspirimit të fakteve; pa çuar në gjyq të akuzuarit më të bujshëm të saj. Gjyqësori pastaj është akoma më interesant, sepse shohim dendur raste kur gjykata zëvendëson rolin e avokatëve mbrojtës, sepse rrëmojnë me ngulm për të gjetur arsye apo justifikime pse një gjyq nuk duhet zhvilluar fare. Kështu janë rastet e shtyrjeve të panumërta për mungesë të avokatëve apo trupit gjykues, kështu ishte rasti i Gërdecit ku Gjykata e Lartë u lumturua kur identifikoi motive për të shmangur përgjegjësinë e detyrës për të gjykuar një çështje, duke mos e zhvilluar fare gjykimin, i tillë është edhe rasti i fundit i Gjykatës Kushtetuese, e cila me përtaci për të marrë përsipër shqyrtimin e çështjes së marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ujor me Greqinë, iu kërkoi statutin partive të opozitës për të parë nëse e kishin apo jo legjitime padinë. Apo rasti qesharak i fundit që për të mos bërë figurë të keqe para presionit të medias, apo më keq akoma nga frika se mos media për inat nxirrte ndonjë të pabërë të trupit gjykues, gjykata mori masën e skajshme ndaj Rezart Taçit. Ndërkohë që rasti nuk është shumë i rënduar dhe individi në fjalë, pavarësisht nga akti i shëmtuar që meriton të ndëshkohet, nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, apo rrezik për t‘u arratisur. Përpara burgimit ekzistojnë masa të tjera, si heqja e pasaportës, garanci pasurore, detyrim për paraqitje, arrest shtëpiak dhe më pas, në rastin më të rëndë, burgosje. Por jo gjykata vendos për burgosje, ndërkohë që të tjerë për akuza për vrasjen e 26 njerëzve nuk janë më as në bankat e të akuzuarve; sepse gjyqësori shqiptar vihet më lehtë në lëvizje nga nami, nga frika e linçimit mediatik sesa nga forca e ligjit.
Njëra anë e medias nuk e ka për turp hiç që të tregojë veten se është palë e duke folur me ne, në vetë njëjës, si të ishte bashkëpunëtore, e jo në vetë të tretë sikurse i takon gazetarisë dinjitoze. Por nga ana tjetër, media orvatet të vjedhë rolin e institucioneve të drejtësisë, bëhet si prokuroria e gjykata bashkë, bën gjyqe publike dhe shpall fajësinë dhe i ka ngelur vetëm që të japë masën e dënimit.
S‘di ku ta hedhësh syrin se vështirë se gjen ndokënd që bën detyrën e vetë. Ja po të merret në konsideratë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, del që më shumë sesa institucion i pavarur që ka në duar procesin thelbësor të demokracisë, zgjedhjet, shërben si foltore zëdhënësish partiakë që komandohen me SMS nga lidershipi i dy partive kryesore.
Institucionet fetare pastaj duken shpesh më shumë zgjatime interesash të huaja sesa tempuj për prehjen shpirtërore të shqiptarëve dhe për kultivimin e moralit dhe vlerave. Për të mos folur pastaj për skandalet që i kanë rrokur hera-herës si hapja e varreve civile të fshatit të Kosinës apo çështja e turbullt e shitjes së tokave të Komunitetit Mysliman në qendër të Tiranës.
Fatkeqësisht edhe ato hapësira që do duheshin të përmbanin më shumë integritet, sepse lidhen më shumë me pasionin e talentin e nuk janë drejtpërdrejti të lidhura me pushtetin e paranë, bota artistike dhe akademia janë pak a shumë njëlloj. Artistët të vetëdeklaruar, që më shumë harxhojnë energji për të maskuar e fshehur gjurmët e plagjiarimeve apo imitimeve me të cilat bëjnë famë sesa harxhojnë për të punuar e krijuar, ndërsa pseudoartistet lozonjare që përdorin me efikasitet lakuriqësinë e tyre për të mbuluar mungesën e talentit. Bota akademike është shndërruar në legjitimuese dhe certifikuese e injorancës dhe është e tejmbushur me individë që kanë grabitur punën akademike të tjetërkujt apo kanë marrë tituj të shumtë akademikë pa kurrfarë rigoroziteti. Pasi e ke shteruar shqyrtimin e faktorëve apo aktorëve që kanë një peshë në shoqërinë shqiptare, të kap trishtimi, e s‘të ngelet tjetër për të thënë përveçse të kujtosh vargjet e Pashko Vasës “O moj Shqypni e mjera Shqypni, kush të ka qit me kryet n‘hië”