Acarimi me grekët: më shumë se një rastësi

Acarimi me grekët: më shumë se një rastësi

Acarimi me grekët: më shumë se një rastësi

Botuar tek gazeta Panorama


Një seri ngjarjesh kanë bërë që marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Greqisë të zënë faqet e para të shtypit shqiptar dhe i kanë hapur rrugën deklaratave apo reagimeve të ashpra në Shqipëri. Në fakt kjo situatë tregon qartë të paktën një gjë, që ne jemi mjaft gjaknxehtë dhe shumë lehtë të provokueshëm. Mjaftohet të shihet sesi reaguam para disa javësh lidhur me një video të bërë nga një celular prej disa ushtarësh grek tek marshonin në një cep të humbur të Greqisë. Ndërsa kjo video ishte krejt anonime, bërë me ndonjë celular nokia nga disa çunakë që loznin loja luftash, reagimi shqiptar shkoi në nivelet më të larta duke përfshirë këtu edhe deklarata ministrore, parlamentare e me radhë. Përmasa që mori ajo ngjarje ishte butaforike duke patur parasysh që në Greqi ajo këngë shoviniste ishte kënduar në gërxhet e ndonjë poligoni të humbur kurse në Shqipëri grupe të ndryshme njerëzish dilnin hapur nëpër sheshet e qyteteve kryesore dhe në mënyrë demonstrative para mediave digjnin flamuj grekë. Po aq demonstrative dhe masive ishte edhe mbushja e qytetit të Tiranës me njerëz të veshur e lyer me të kuq kur
fituam ndeshjen e futbollit me Greqinë.



Për një moment të hedhim përtej maskën e të folurit politikisht korrekt dhe ta pranojmë që edhe në Shqipëri grekët urrehen me po aq intensitet dhe masivitet sa edhe shqiptarët në Greqi. Dhe nuk kursehet moment, rrethanë apo justifikim për ta manifestuar hapur dhe zellshëm urrejtjen e shqiptarëve ndaj grekëve. Prandaj të mos bëhemi hipokrit dhe të sillemi si të çuditur nga manifestimet e urrejtjes anti shqiptare në Greqi kur dihet mirë që mllefi anti greke zien edhe brenda nesh.
Kësilloj janë marrëdhëniet shqiptare greke prej shumë kohësh dhe e vetmja surprizë nuk vjen nga manifestimi i tensionit, se ky tension ka qenë prej kohësh gjendje e natyrshme, por surpriza vjen vetëm nga fakti që ende nuk po shikohet ndonjë përmirësim të kësaj situate. Pra ne shajmë grekët që nuk na duan, por edhe ne nuk është se i duam ata, përkundrazi, edhe ne në përgjithësi nuk i duam hiç. Thjesht nuk i kemi në dorë dhe nuk kemi aq takat sa ata që t’iu imponohemi.

Një situatë e ngjashme me këtë prirje është edhe trajtimi i emigrantëve ilegal. Ne shqiptarët qahemi e ankohemi për trajtimin diskriminues dhe përbuzës që iu bëjnë policët grekë apo italianë shqiptarëve që kapen duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin. Por ama kurdët, kinezët apo moldavet e kapur nga policia shqiptare si emigrant ilegal nuk është se janë trajtuar më mirë.

Duke qenë se mungesa e dashamirësisë mes dy vendeve nuk është gjë e rrallë, ne duhet të pyesim veten vetëm pse ndodh tani ky shpërthim vullkanik i marazit etnik që ekziston mes dy vendeve tona.
Brenda një kohe të shkurtër kanë ndodhur disa ngjarje që kanë provokuar këto reagime të ashpra. Duke filluar nga çështja e varrezave të ushtarëve grek tek hapja e shkollës greke në Himarë, nxjerrja e videos. Se fundmi spikasin dalja e Bollanos me një deklaratë që tingëllonte si e një andarti që dilte nga librat e historisë. Kuptohet që dalldia dhe joshja që vinte prej protagonizmit të fituar prej kësaj deklarate e bën akoma më qesharak këtë personazh provincial e periferik. Më pas një deklaratë konfuze e ambasadorit, një botim jo dhe aq rastësor i kujtimeve të pesëshes të minoritarëve separatistë dhe më tej një dalje në publik të një kinse skuadre terroriste që kërkonte
çlirimin e Çamërisë. Dalje kjo që dukej qartë se ishte një imitim i realizuar keq i daljeve publike të ETA-s dhe IRA-s. Unë kam përshtypjen se hidhërimin më të madh nga këto ngjarje shqiptarët nuk e ndiejnë kundër grekëve sepse ky inat është e dhënë e pandryshuar. Por e ndiejnë ndaj shtetit shqiptar, dhe në mënyrë të veçantë ndaj qeverisë e cila ngelet ende prapa në procesin e shtetformimit dhe nuk është e aftë të imponojë dinjitetin e vendit tonë. Dhe kjo paaftësi nuk vjen vetëm nga paaftësia qeverisëse dhe paaftësia për të konsoliduar shtetin e ligjit dhe ekonominë por edhe si pasojë të pengjeve të së kaluarës, kompromiseve apo shantazheve ndaj të cilave janë të nënshtruar vendim-marrësit tanë.

Momenti në histori është një faktorët kryesor, me një ndikim vendimtar tek përmbajtja apo pasojat e një veprimi. Ka shumë mundësi që këto ngjarje të jenë instrumentale pjesë të një orkestrimi ë ka të bëjë me përfundimin e negociatave për pavarësinë e Kosovës. Personalisht jam në parim kundër teorive konspirative megjithatë kjo situatë të lë të mendosh se ka faktorë anti-shqiptarë në Greqi që janë duke orkestruar një provokim që synon të acarojë marrëdhëniet ndër-etnike brenda Shqipërisë. Po qe se ne biem pre e këtyre e këtyre provokimeve dhe reagojmë ashpër duke e përshkallëzuar situatën, ne nuk bëjmë gjë tjetër përveçse dëmtojmë kauzën e Kosovës. Për serbët dhe proserbët një acarim i tepruar i situatës me minoritetin grek në Shqipëri do të shërbente si një dëshmi për të treguar se shqiptarët nuk dinë t’i respektojnë minoritetet. Ky ilustrim do të mund të shërbente si justifikim për ndarjen e Kosovës së Veriut ose për një pavarësi shumë të gjymtuar të Kosovës me një rol të rëndësishëm garantues të ndërkombëtarëve.

Kështu reciprociteti ndaj këtyre provokimeve nuk është aspak i dobishëm sepse shumë prej veprimeve hipernacionaliste janë të dënueshme dhe kaq, dhe nuk duhet të shpaguhen me të njëjtin veprim sepse neve shqiptarëve që ankohemi na humbet e drejta morale për të pretenduar të drejtën. Me parimin dhëmbë për dhëmbë, edhe ne katandisemi në të njëjtin batak duke u bërë pjesë e disa faqeve të harruara në historinë e Evropës. Kjo gjë do të thotë që nuk është aspak ky momenti për t’u hequr në publik patriot duke dalë me deklarata të tipit heqim Bollanon apo dëbojmë ambasadorin. Këto veprime thjesht do të konfirmonin skenarin që shovinistët kanë përpunuar dhe do t’a tregonte minoritetin grek nëpër botë si viktimë pa qenë aspak të tillë. Në politikë kthjelltësia dhe vetëpërmbajtja është një virtyt i çmuar ndërsa patriotizmi mund të dëshmohet në forma të tjera më të dobishme për atdheun dhe çështjen kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top