Legalizimi dhe Kompensimi : Si mund të ishin bërë ndrysheë
Botuar tek Gazeta Standard
Debati i legalizimit ka hyrë në një fazë të re të çuditshme, duke mos kursyer surprizat e kundërshtarëve të tyre. Kundërshtarët e qeverisë i kanë sytë të errur nga nihilizmi dhe e sulmojnë këtë ligj nga të gjitha anët, duke ndryshuar pozicionin e tyre si t’u konvenojë më mirë. Argumenti më qesharak kundërshtues është ai se qeveria po shpërblen militantët e vetë duke u përpjekur që ta përqendrojë çështjen vetëm tek zonat informale të Bathores dhe Kamzës që votojnë bindshëm për PD-në. E vërteta është se ky ligj është gjithëpërfshirës duke u bërë i dobishëm për të gjitha grupimet e popullsisë shqiptare. Kështu përveçse është i dobishëm për të ardhurit e veriut në Tiranë, është e dobishme edhe për të ardhurit informal jugor në Tiranë, për skraparllinjtë që janë vendosur në kodrat e Durrësit, mallakastriotët që janë vendosur përreth Fierit dhe tepelenasit që kanë shkuar e janë vendosur në Ksamil. Padyshim që këta të fundit nuk shquhen si votues të djathtë. Nuk përfitojnë vetëm të ardhurit nga zonat e thella rurale, por edhe shtesat e qytetarëve. Pra përfitojnë shqiptarët e të gjitha përkatësive politike qofshin këta të majtë apo të djathtë. Ky është një problem masiv kombëtar duke u dhënë të drejtat e pronësisë mbi 200 mijë ndërtesave që mund të përkthehen në rreth 1 milion banorë, pra mbi një çerek e popullsisë shqiptare.
Duke patur parasysh këtë masivitet duke natyrshëm se së pari të gjitha forcat apo aktorët politik duhet të tregohen më të ndjeshëm dhe të sjellshëm ndaj popullsisë së madhe që përfiton, se dyti të jenë më të ndërgjegjshëm për kompleksitetin e problemit. Aq kompleks është ky problem sa asnjë qeveri deri tani nuk ka pasur vullnetin dhe aftësinë që t’i jepte zgjidhje, duke e lënë që ky problem të koklavitej edhe më tej duke e shndërruar në një nyje të vërtetë Gordiane. Mitologjia thotë se I vetmi që pati guximin që të zgjidhte nyjen gordiane që Leka i Madh, nxënës i Aristotelit, i cili pasi i erdhi vërdallë duke mos arritur ti gjej fillimin e as fundin nyjës, vendosi ta godiste me shpatë duke e ndarë mëdysh. Shumë në atë kohë bërtitën duke thënë se ishte bërë me hile, porse historia e njeh Lekën si të vetmin individ që arriti ta zgjidhte. Edhe sot çështja e pronave është një nyje që duhet zgjiur. Në mos ajo ka për tu shndërruar në një gangrenë e vërtetë në një gjymtyrë që po mos të amputohet tani do të rrezikojë gjithë organizmin, pra vendin.
Nëse do të flitej për favorizim të militantëve nëpërmjet këtij ligjit, në fakt del qartë e kundërta pasi me veprimet e saj Partia Demokratike po dëshmon se po merr përsipër një kosto elektorale duke nxjerrë një ligj që i shërben gjithë vendit dhe jo votuesve të Partisë Demokratike. PD-ja po tregon qartë se ka ndërtuar një qeveri për Shqipërinë e shqiptarët dhe jo për të kënaqur orekset e apo kërkesat e militantëve të vetë. Në fakt po të shikohet me vëmendje e kaluara e votimeve del se PD-ja ka kryesisht votues qytetarë dhe ish-pronarë të cilat janë edhe grupimet që kanë shprehur pakënaqësi më shumë ndaj këtij ligji. Për këtë arsye kjo qeveri duhet përgëzuar për kurajën dhe përgjegjshmërinë që ka treguar duke ndërmarrë një nismë kaq të guximshme dhe të dobishme për vendin.
Po të shikohet objektivi i këtij projektligji kuptohet se ai ka për të shkaktuar një boom të vërtetë ndaj ekonomisë shqiptare duke e pajisur në një kohë të shkurtër me dy-tre miliardë dollarë kapital që deri tani kanë qenë të vdekura. Ka për të zgjidhur më në fund një çështje të lënë pezull prej shumë kohësh, që është dhënia e të drejtës së pronësisë ndaj njerëzve që e kanë ndërtuar atë pronë me shumë mund e djersë por që nuk mund ta gëzojnë atë pronë.
Megjithatë boshllëku kryesor i kundërshtarëve të ligjit të legalizimit qëndron në pamundësinë e paraqitjes së një alternative më të dobishme apo të pranueshme. Prandaj socialistëve u duhet thënë se ata nuk kanë të drejtën morale që të kundërshtojnë këtë ligj, kur dihet që ata vetë nuk bënë gjë për tetë vite, përveçse bën premtime. Kurse kundërshtarëve të tjerë iu duhet kërkuar praktika të tjera që janë më të përshtatshme se ligji i hartuar nga qeveria e Shqipërisë.
Politikat e qeverisë për legalizimin e ndërtimeve informale dhe për kompensimin dhe kthimin e pronave ndaj ish pronarëve, nuk është një sajesë nga hiçi, por është një produkt i hartuar pas një përvoje të pasur të problemeve të kësaj natyre të hasura në vendet e tjera. Prandaj për të kuptuar rëndësinë dhe cilësinë e këtij ligji vlen që të hidhet një sy tek praktikat e vendeve të tjera ish komuniste që kanë pasur probleme të ngjashme në lidhje me kompensimin e ishpronarëve.
Sipas raporteve të Unionit Ndërkombëtar i Pronësisë së Paluajtshme (UIPI) edhe vendet e tjera ish komuniste nuk kanë bërë të mundur një kthim më të plotë të pronësisë se ai që propozohet nga qeveria shqiptare. Në Gjermani pronat që u kolektivizuan gjatë pushtimit sovjetik në vitet 45-49 nuk u kthyen tek ish-pronarët, përjashto pak raste ku u bë një kompensim shumë herë poshtë vlerës së tregut. Në Poloni vetëm pak vite më parë u vendos një ligj që lejon kthimin e 50% të pronës, përjashto pretenduesit e pronës dhe trashëgimtarët e tyre që nuk kanë shtetësi polake (të paktën 10 milionë gjermanë janë dëbuar nga Polonia pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët bashkë me emigrantët polakë janë përjashtuar nga e drejta e kthimit të pronës). Rrjedhimisht kthehet vetëm një fraksion i pronës së sekuestruar një gjysmë shekulli më parë ka për tu kthyer. Në Slloveni legjislacioni lejon kthimin e pronës së sekuestruar por ky ligj është aq i ndërlikuar sa edhe pas 13 viteve që ky ligj është në fuqi, vetëm 20% e pretendimeve të pronës janë zgjidhur. Në Rumani nuk ka as kthim fizik, as kompensim monetar, por dhënie e letrave me vlerë të një fondi “Proprietatea†më anë të të cilit blihen aksione të ndërmarrjeve publike që nuk është mundur që të privatizohen. Serbia nuk ka ende ndonjë ligj për kthimin e pronësisë së konfiskuar gjatë komunizmit ndërsa Kroacia dhe Bullgaria, posi ne, parashikon një kthim të pjesshëm e më të kufizuar sesa kthimi i parashikuar nga qeveria jonë.
Duke parë përvojën e vendeve të tjera, kuptohet që qeveria shqiptare në lidhje me kompensimin e ish-pronarëve po tregohet më shumë dashamirëse dhe e ndjeshme se vendet e tjera. Kështu shteti Bullgar kthen maksimumin 50 hektarë tokë, kurse Rumania kthen maksimumin e 50 hektarëve tokë dhe 20 hektarëve pyll. Ndërkohë që qeveria shqiptare ka propozuar të ktheje deri në 100 hektarë tokë që është më shumë se vendet fqinje dhe se sasia e paracaktuar nga qeveria socialiste. Përpos ndryshe nga vendet e tjera, qeveria shqiptare i jep përparësi pronësisë së ish-pronarëve kur bëhet fjalë për zonat urbane.
Disa kundërshtarë të ligjit ekzistues kërkojnë që të merret parasysh më shumë pretendimi i ish-pronarëve për vlerën reale të tregut të tokës që ata pretendojnë, mirëpo po të shohim një politikë të ngjashme si ajo që është bërë në Estoni dhe Lituani, procesi i kthimit është katandisur në pavendosmëri, ngadalësi dhe bllokim. Kështu negociatat për çmimet e tokës kanë bërë qe pas pothuaj një dekadë e gjysmë Estonia të kthej vetëm 25% të tokës ndërsa Lituania 37%. Një vend si Rumania që ka bërë gabimin e lënies së përcaktimit të vlerës në dorë të negociatave ka bërë që sot të ketë mbi 700000 çështje konfliktuale lidhur me pronën ku janë përfshirë rreth pesë milionë pretendentë nga një total prej 20 milionë rumunësh. Atëherë a ia vlen që të zhyten sërish ish-pronarët në kalvaret e gjata të gjyqeve për pretendimin e pronës apo të gjendet një zgjidhje jo perfektë, por efikase dhe e shpejtëë Tashmë kanë kaluar pesëmbëdhjetë vite pritje dhe në kushtet e një ekonomie si jona ishpronarët duhet të mendojnë se mbase është më mirë të marrin pak para sot sesa të shpresojnë të marrin më shumë pas dekadash. Siç edhe shihet nga krahasimet me vendet e tjera del se qeveria shqiptare brenda kushteve të një shteti postkomunist, është duke bërë maksimumin për respektimin e kthimit të pronësisë tek ishpronarët. Të kemi parasysh se lëvizjet e brendshme migratore tmerrësisht masive që ka pasur Shqipëria, nuk i ka pasur vend tjetër, prandaj edhe kompleksiteti i problemit shqiptar është më i madh se tjetërkund, për rrjedhojë edhe hapësira e manovrimit tëf qeverisë është më e kufizuar.